Tjetër zbulim në kishën e Balldrenit, del në dritë struktura murale. –
Tjetër zbulim në kishën e Balldrenit, del në dritë struktura murale. –
Nga: Elvis Hila
01/10/2019 –
Këto struktura murale ende të padatuara se kujt periudhe historike i përkasin dhe një varr ka dalë në dritë gjatë punimeve për restaurimin e kishës së “Shën Premtes” në Balldre të Lezhës.
Muret e vjetra janë zbuluar në anën veriore të kishës, gjatë hapjes së një kanali për disiplinimin e ujërave dhe menjëherë punimet janë ndërprere në pritje të ekspertëve.
Paulin Zefi: “Muret janë të paprekura, të padëmtuara. Nuk është prekur struktura që ka dalë në dritë dhe mendoj se mund të jenë ndërtuar paralelisht me kishën, shekulli 13-14 ose ndoshta edhe shekulli 15. Këtu kemi edhe një varr, janë gjetur disa fragmente eshtrash. Varri është lënë ashtu në gjendjen që është zbuluar dhe pa ardhur arkeologët nuk mund të dalim në një përfundim.”
Kisha monument kulture e njohur për afreskun e Darkës së Fundit po restaurohet plotësisht falë donacioneve private me qëllim që të bëhet një aset historik i vizitueshëm.
Dom Nike Ukgjini: “E kemi ndaluar punën sepse presim që këto ditë të vijnë ekspertë të kësaj fushe, të restaurimit të pikturave dhe me kujdes të madh të zbulojmë çfarë mrekullie do dalë në brendësi të kishës.”
Më herët gjatë punimeve restauruese në këtë kishë kanë dalë në dritë edhe disa afreske të reja, të cilat mbartin vlera të jashtëzakonshme historike.
Nga Ora News.Tv