Tjetërsimi i vlerave trashëgimore; ideologjik politik.

Turpi ynë s’ka kufij!

Nga: Arsim Canolli

Qenka nënshkruar një marrëveshje nga kryetari i Prishtinës dhe TIKA turke që të ndërtohet Muzeu i Mehmet Fatihut (Pushtuesit II), mbi gërmadhat e Hamamit të Prishtinës. Ky është precedent i rrezikshëm. Rikonstruktimet e tilla nuk janë trashëgimi kulturore, por ideologji politike. MKRS nuk duhet ta pranojë këtë rikonstruktim, siç nuk e ka pranuar rikonstruktimin e kishës së Shen Kollit afër varrit të Car Dushanit në Prizren, në vitin 2016.

Pse? Së pari, nëse shihet me ligjin për trashëgiminë kulturore të Kosovës, por edhe me konventa ndërkombëtare, kjo nuk duhet të kalojë. Sepse nuk lejohet një rikonstruktim i tillë, që ndryshon gjithë vlerën e këtij Hamami të vjetër. Hamami duhet të ruhet si ai në Prizren, sepse ka vlerën e tij si hamam. Do të duhej të restaurohej si hamam e jo të rikonstruktohet në ndërtesë të re me vizion krejt tjetër. Vlerat e trashëgimisë kulturore nuk duhet të tjetërsohen.

Së dyti, secili rikonstruktim/ridimensionim që bëhet nga shteti në objekte, ansamble ndërtesash, të mbrojtura me ligj, duhet të ketë vlerë të jashtëzakonshme për komunitetin ku bëhet. Pos asaj, rikonstruktimet bëhen për ndërtesa që kanë dokumentim të plotë për të cilat ka material autentik dhe vlerë të jashtëzakonshme për komunitetin. Dhe, jo për ato mesjetare, por për ato të vona, për të cilat ka dokumentim të plotë dhe janë shkatërruar intencionalisht. Çfarë vlere ka Muzeu i Mehmet Pushtuesit II në Kosovë? A nuk paska qenë pushtues Mehmet Pushtuesi? Kush mund ta arsyetojë këtë vlerë në Kosovë?

Kryetari i komunës së Prishtinës mund të ketë ra në lajthitje, por në këtë lajthitje nuk do të duhej të binte Ministria e Kulturës, që jepë leje për këto gjëra. Nëse ky rikonstruktim bëhet, atëherë krijohet precedent për ridestinime/ridimensionime të vlerave të trashëgimisë kulturore. Kësisoj, Kosova e ka të vështirë në dialogun e ardhshëm të argumentojë kundër rindërtimit të kishave mesjetare nga Kisha Ortodokse Serbe, që është synim i tyre.

Tani duhet të shohim se si do të veprojë ministri Hajrulla Çeku: a do të japë leje për këtë tjetërsim të trashëgimisë kulturore. Ai i njeh parimet e trashëgimisë kulturore sepse ka punuar në këtë fushë. Tëshohim sa është parimor. Në këtë kohë të vështirë, kur Kosovën e pret një dialog i vështirë me Serbinë, tjetërsimi i vlerave të trashgimisë kulturore është precedent i rrezikshëm. Sepse mezi do të pres edhe Serbia edhe komuniteti ndërkombëtar që ta gjejë një precedent të tillë (ku mund të tjetërsohen vlerat trashëgimisë kulturore) dhe tía japë si karrotë Serbisë në dialog, “disrecionin e plotë mbi kisha e manastire”, diçka më shumë se sa është në Planin Ahtisari. Pastaj, rikonstruktimet e kishave do të vazhdojnë, duke përmendur edhe këtë precedent. Do të bie kjo lajthitje e kryetarit të Prishtinës dhe do t’ ia shohim sherrin.

Të gjithë ministrat prej Memli Krasniqit e deri te Vlora Dumoshi nuk kanë lejuar të rikonstruktohet kisha e Shen Kollit në Manastir të Kryeengjujëve në Prizren, të cilën e ka kërkuar pandërprerë Kisha Ortodokse Serbe e Serbia. Pavarësisht presioneve e kërkesave që mund të kenë pasur! Madje, edhe ekspertët e UNESCO-së, e të tjerë ndërkombëtarë, kanë vlerësuar se është kundër rregullave e parimeve të saj, ndërtimi i asaj kishe, pra kishës së Shën Kollit brenda kompleksit të Manastirit. Dhe, i kanë dhënë të drejtë MKRS-së për këtë, jo Kishës Ortodokse Serbe, që donte të bënte precedent rastin atje, për të rindërtuar anekënd Kosovës, e për të krijuam një mumie dushaniane në Kosovë.

Rastet e tilla, kur gërmadhat apo ndërtesat e vjetra, rikonstruktohen sipas ideologjisë së re, nuk janë tjetër pos instrumentalizim politik-ideologjik i tashëgimisë kulturore. Komuna e Prishtinës, në vend se ta zgjidh më shpejt kontestin dhe ta renovojë, Xhaminë e Çarshisë, që ka mbetur me skele rrethit, synon ndërtimin e Muzeut të Mehmet Pushtuesit, duke tjetërsuar vlerat trashëgimore të Hamamit të vjetër! Në territorin e komunës së Prishtinës ekzistojnë një numër i madh i xhamive të vjetëra që kanë nevojë për ndërhyrje shpëtuese, por ato janë harruar kretësisht.

Trashëgimia kulturore e Kosovës duhet të ruhet e të mbrohet e të promovohet pa u tjetërsuar, ashtu si është, sepse e gjitha është trashëgimi e popullit të Kosovës, jo e ideologëve me utopi ideologjike në kokë!