
Toka në Surrel/ Kalaja nxjerr dokumentat: – Dumani akuza Linda Ramës, del në qendër të skemës së grabitjes së pronës shtetërore
18 Prill 2025
Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike ka disa detaje mbrëmjen e sotme në emisionin “Çim Peka LIVE”, duke përmendur aferën e lidhur me grabitjen e prones në zonën e Surrelit, ku është e përfshirë e gjithë familja kryeministrore, ku rol kryesor ka bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama.
Ajo tha se ky denoncim është depozituar në SPAK që në shtator të vitit 2024 dhe se përmban mbi 50 prova të dokumentuara. Sipas saj, skema ka nisur me gjetjen e një fshatari, i cili kishte përfituar një pronë nëpërmjet ligjit 7501, dhe më pas pretendoi se i kishin humbur aktet e pronësisë.
Në këtë pikë ka nisur falsifikimi, ku është krijuar një certifikatë duplikate që dyfishonte sipërfaqen nga 8 mijë në 16 mijë metra katrorë. Banorët e zonës, sipas saj, kishin denoncuar rastin që në vitet 2011–2012 pranë prefekturës.
Në atë kohë, prefekti kishte verifikuar në terren dhe kishte gjetur se një shtetas me mbiemrin Isufi kishte përfituar më shumë tokë sesa i takonte. Më pas çështja kishte kaluar në Gjykatën e Apelit, ku u ndezën alarmet për përfshirjen e familjes kryeministrore.
Sipas kryetares së komisionit, gjyqtarët e Apelit e panë qartë manipulimin dhe vendosën të mos e rrëzonin vendimin në themel, por e kthyen për shqyrtim në Shkallë të Parë, me një trup tjetër gjyqësor.
Në këtë fazë, sipas saj, ndërhyrjet politike u bënë edhe më të dukshme dhe të forta, duke përfshirë edhe drejtues të institucioneve të tjera si Artan Lame, i cili kërkoi pushimin e gjykimit.
Ajo theksoi se e gjithë kjo çështje tregon se si sistemi i drejtësisë është vënë në shërbim të familjes Rama, për të grabitur prona publike në mënyrë të paligjshme. Denoncimi, sipas saj, prek jo vetëm Lindën dhe Edi Ramën, por edhe vëllain e tij dhe sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi.
Ajo pretendon se SPAK ka refuzuar kompetencën për hetimin dhe e ka kaluar dosjen në Prokurorinë e Tiranës, gjë që sipas saj përbën shkelje ligjore.
Gjithashtu, ajo akuzoi kryeprokurorin Altin Dumani se në një shkresë zyrtare ka deklaruar se “mund të ketë falsifikime” dhe për këtë ka sugjeruar që hetimi të vijojë në Tiranë, pasi Linda Rama nuk është zyrtare e lartë.
Sipas denoncueses, kjo është një përpjekje për të shpëtuar nga ndëshkimi një skemë që përfshin prona shtetërore të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.
Ajo deklaroi gjithashtu se gjysma e pasurisë së përfituar është në regjimin martesor me Edi Ramën dhe është deklaruar në ILDKPI nga vetë kryeministri.
Ajo nënvizoi se kjo është një çështje me rëndësi të veçantë ligjore dhe politike, e cila duhet të hetohet me përparësi nga SPAK.
Kalaja: Ka disa dosje Edi Rama në SPAK, duke përfshirë edhe dosjen për Teatrin Kombëtar, dhe unë kam dëshirë të qëndroj në ato të vërteta që unë besoj.
Veprimet më mafioze në këndvështrimin tim në atë familje kryeministrore i ka bërë bashkëshortja Linda Rama, dhe për çudi ka edhe disa mbiemra, që e lidh me kallëzimin, nuk e them në kuptimin pezhorativ.
Nga ana tjetër ky kallëzim ka pjesë të tij, për të cilin ndihem shumë i keqardhur që nuk është hetuar siç duhet, edhe vëllain e kryeministrit, edhe vetë kryeministrin, por një nga personat kyç është Ëngjëll Agaçi dhe Artan Lamja.
Flas për dosjen e Surrelit. Rama është i shqetësuar sidomos për dosjen e Surrelit. Unë kam informacion që është i shqetësuar edhe për dosjen e McGonigal, sepse me gjithë ndërhyrjet që ai bën, nuk e ka në dorë SPAK për ta mbyllur dosjen e McGonigal.
Sot po i referohem historikut të dosjes së tokës në Surrel, për të cilën në fakt ai jo vetëm është i shqetësuar, por provat e nxjerrin ashtu siç ai ka qejf, lakuriq në sy të publikut. Jo vetëm për mënyrën sesi janë falsifikuar dokumentet, për mënyrën sesi është grabitur prona shtetërore, por ajo që është më e rëndësishme në këtë dosje është se si i gjithë sistemi i drejtësisë me një telefonatë vihet në shërbim të familjes kryeministrore.
Në shtator të 2024 unë depozitova kallëzimin penal, për grabitjen e kësaj prone, për të cilën unë kam dokumenta dhe i kam vënë në dispozicion, që e vërtetojnë katërcipërisht që kjo pronë, ka pasur emërtimin “shtet, trualli”, aty ku është shtëpia e Ramës.
Sot kjo sipërfaqe është 8900 metër katror dhe e ka blerë nga të tretët, këtu ka filluar falsifikimi.
Ky është kallëzimi penal për të cilin po të shikosh edhe nga emrat e personave të kallëzuar, pra edhe subjektet edhe objekti i veprës penale, ligji thotë është kompetencë e SPAK. Pra nuk mund ta hetojë Edi Ramën prokuroria e Tiranës, edhe Ëngjëll Agaçi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm që ka kryer këto vepra penale, quhet zyrtar i lartë dhe është vetëm kompetencë e SPAK.
Ne na vjen një përgjigje nga SPAK ku thuhet se dosja është kaluar për kompetencë për prokurorin e Tiranës, pra është injoruar ligji.
Bën dhe një gafë tjetër Dumani në këtë shkresë, thotë “mund të ketë falsifikime”, pra ja faturon Linda Ramës. Dhe meqenëse Linda Rama nuk është zyrtare e lartë, duhet të shkojë për hetim në prokurorinë e Tiranës.
Ndërkohë që gjysma e pasurisë me regjimin martesor është e Edi Ramës, dhe gjysma e pasurisë është deklaruar në ILDKPI nga Rama.