“Tokat e mia i kanë vjedhur”/ Qytetarja nga Vunoi ankohet live: – Pronën time e mori ish-deputetja, edhe pse kam kontratë dhurimi më 1998
20 Dhjetor 2024
Një qytetare nga Vunoi ka telefonuar në emisionin Koha për t’u zgjuar në News24, ku i ftuar ka qenë avokati Gylsen Zhllima.
Qytetarja tha se tokat e saj janë vjedhur. Ajo akuzoi se pronën e saj e ka marrë një ish-deputete. Sipas saj, ajo zotëron një kontratë dhurimi më 1998 nga halla e ndjerë. Qytetarja shprehet se nuk po gjen dot zgjidhje në Hipotekën e Vlorës, ku nuk i kthejnë përgjigje.
Qytetarja: Unë kam një kontratë dhurimi që në vitin 1998 për tokat me ligjin 7501. Më vdiq halla, që më ka bërë këtë kontratë dhurimi. Kontratën e dhurimit ma ka bërë me noter në Vlorë. Unë flas nga Vunoi. Këtë kontratë e dorëzova në hipotekë. Hipoteka më thotë “tokat që po kërkon, paguaj tatimet e tokave dhe tokat e mia i kanë vjedhur. Hapa gjyq në Vlorë që më 28 maj 2024 dhe gjyqi nuk më zhvillohet.
Avokati Gylsen Zhllima: Keni marrë informacione nëse është bërë azhornimi i tokës?
Qytetarja: Po, tokën time e ka marrë ish-deputetja.
Avokati Gylsen Zhllima: Ndodhin këto, e kemi fenomen. As unë s’jam dakord, por ndodhin.
Qytetarja: Ku ta gjej zgjidhjen të marrë tokën time.
Avokati Gylsen Zhllima: Zgjidhja është kjo prsh. Nëse personi ua ka marrë tokën, ju do bëni një kërkesë te Kadastra dhe do kërkoni anën juridike të tokës sesi është aktualisht. Nëse toka nuk është azhornuar, duhet të keni kujdes. Asnjëri nuk është pronar, shteti është pronar. Në atë zonë që jetoni, azhornohet ngadalë dhe do të vijë momenti, por thjesht kohë fushate. Do presësh dhe fushatën e pastaj do azhornohet.
Qytetarja: Jam me kontratë dhurimi, jam me të gjitha dokumentet, me formular 6, paguaj tatimet. Pse vidhen tokat? I bëj kërkesë Hipotekës, që çfarë rruge duhet të zgjedh që kontratën e dhurimit ta hedh në emrin tim. Nuk më kthen përgjigje. Si e morën tokën, këtë ta dëgjojë kryeministri.
Avokati Gylsen Zhllima: Nuk e besoj në atë zonë të ketë dikush certifikatë. Besoj se tokat në atë zonë i ka shteti, pavarësisht se personat janë me AMTP, që nuk të bën 100 përqind pronar. Duhet të kesh certifikatë pronësie.
Balkanweb