9 Prill 2025

Nga: Gazeta Sot

Në një lëvizje të papritur politike, Tom Doshi dyshohet se ka bashkuar forcat me Sali Berishën, duke shënuar një kthesë të fortë në përplasjen me Edi Ramën. Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Shkodër dështoi për herë të parë pas shumë vitesh, pasi këshilltarët e Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe Partisë Demorkatike (PD) bojkotuan në mënyrë të sinkronizuar, një sinjal i qartë i një aleance të re politike që po merr jetë. Ndërkohë, në qarkun Fier, kandidatët e PSD-së denoncojnë presione të rënda politike dhe largime nga puna, duke akuzuar mazhorancën për hakmarrje elektorale.

Burime nga terreni flasin për një “Vëlla të Madh” që po orkestron prapaskenat dhe sulmin, ndërsa strukturat socialdemokrate po forcojnë pozicionin në qarqe kyç, mes një lufte të ashpër për kontrollin lokal. Por në këtë betejë trepalëshe, tensionet po përvijojnë një skenar dramatik për zgjedhjet e 11 majit. Pra fakti që Berisha dhe Doshi, të dy shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), tani ndajnë të njëjtën strategji, është sinjal se “lufta e madhe” sapo ka nisur, ku protagoniste janë trekëndëshi Berisha-Doshi-Rama.

Berisha dhe Tom Doshi bëhen bashkë në Shkodër

Konkretisht mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës dështoi të zhvillohej, pasi PSD dhe PD braktisën sallën duke bërë që të mos jetë kuorumi i duhur. Pasi u miratuan vetëm pikat e para të rendit të ditës që lidhen me shtresat sociale, anëtarja e këshillit Marin Duhani e PSD bëri të ditur se social demokratët nuk do vijojnë më këtë mbledhje. Pas një pushimi 5 minutësh të njëjtin vendim morën edhe këshilltarët demokratë. Ndërkohë këshilltarët e majtë e cilësuan si të dëmshëm këtë vendim për braktisjen e mbledhjes.

Në këtë mbledhje të këshillit bashkiak, një prej pikave më të rëndësishme të rendit të ditës ishte dhënia e një sipërfaqe të madhe të rërës në plazhin e Velipojës në administrim të ndërmarrjes Bio Strajca sh.a, me qëllim që shezllonet në këtë sezon veror t’i vendosë kjo shoqëri aksionere e administruar nga bashkia dhe jo më privatët apo operatorë turistik siç ka qenë më përpara. Kjo braktisje e mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga PSD duke lënë të vetëm të majtët, vjen edhe pas disa shkarkimeve të drejtorëve rajonal të PSD në qarkun Shkodër, përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në total në rendin e ditës ishin 18 pika, teksa u miratuan vetëm të parat si fondi 6% për shkurtin dhe marsin, qiraja e banesave sociale, strehim emergjent i një familje dhe një ndihmë financiare për dëmet e shkaktuara nga zjarri në një familje.

Investigimi i “BIRN”

Ndërkohë detaje sa i takon luftës që ka plasur mes Ramës dhe Doshit ka dhënë edhe “BIRN”. Kur u thirr në zyrat qendrore të OSHEE-së në Tiranë më 27 mars, Klortjana Skënderaj nuk e priste që t’i komunikohej shkarkimi nga detyra. Pas 11 vitesh punë pranë grupit të kompanive publike që menaxhojnë sistemin e shpërndarjes dhe faturimit të energjisë elektrike, urdhri iu komunikua verbalisht. “Jam ndjerë e lënduar”, tha Klortjana, ndërsa kujtoi se motivacioni i dhënë ishte “për shkelje të etikës në punë.” Bashkëshorti i saj, Ylli Skënderaj dhe e bija janë kandidatë për deputetë për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit në qarkun Fier për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ylli pretendon se largimi i bashkëshortes nga puna ishte një formë presioni që ai të largohej nga gara. “Kjo është hakmarrje, presion që unë të heq dorë nga kandidimi”, tha ai, pasi dorëzoi një kallëzim në SPAK për krime zgjedhore, i cili është deleguar për kompetencë në Prokurorinë e Fierit.

E pyetur nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësi, OSHEE mohoi se e kishte larguar Skënderajn nga puna. Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm ku kandidatë të Partisë Socialdemokrate në qarkun Fier, të cilët janë punonjës të administratës, u bëhet presion që të largohen nga gara për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjithashtu, këto akuza duket se janë pjesë e një përplasje më të madhe në nivel vendor midis dy partive aleate, e cila ka marrë jetë në këshillin bashkiak, ku këshilltarët e PSD-së kanë bojkotuar për disa muaj dhe kanë abstenuar në votën për buxhetin e vitit 2025. Megjithatë, Antoneta Çuni, kryetare e Këshillit Bashkiak Fier, e mohoi përplasjen. “Nuk ka asnjë përplasje, nuk është e vërtetë,” tha ajo. “Nuk kanë votuar asnjëherë kundër anëtarët e PSD,” shtoi Çuni.

Kandidatët e PSD ankohen për presione

Sipas nenit 325 të Kodit Penal, pengimi me anë të kanosjes, dhunës apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve zgjedhore apo i kandidatëve për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës zgjedhore, dënohet me burgim nga tre muaj gjer në tre vjet. Përveç Skënderajt, edhe dy kandidatë të tjerë të PSD-së në zgjedhjet e 11 majit u ankuan se janë përballur me kërkesa për të dhënë dorëheqjen nga puna, menjëherë pas njoftimit të kandidimit. Limonera Bozha, specialiste në Albpetrol dhe Tetem Hasimaj, infermier në Spitalin e Ballshit, thanë se u është kërkuar të japin dorëheqjen nga vendi i punës, megjithëse fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht. Hasimajt madje iu bë me dije se pezullohej nga detyra me justifikimin se kandidimi i tij cenonte Kodin Zgjedhor.

“Pezullimin nga detyra të punonjësit z. Tetem Hasimaj, me profesion ‘Teknik shkencash shëndetësore – ndihmës epidemiolog’, si pasojë e regjistrimit të tij në listat zgjedhore të kandidimit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025”, thuhet në vendimin e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Ballsh. Vendimi arsyetohet, në mënyrë të çuditshme, si masë për të ndaluar përdorimin e burimeve publike në fushatë zgjedhore. Ndërkohë, ndaj Bozhës “Albpetrol” ka ngritur komision disiplinor. Ylli Skënderaj mbetet gjithashtu i bindur se familja e tij po targetohej për shkak të kandidimit në zgjedhje. Anëtarët e PSD-së thonë se kanë kohë që përballen me presione të ngjashme në nivel vendor. Më herët, disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të kësaj force u detyruan të jepnin dorëheqjen nga mandati, me justifikimin se ai binte ndesh me postin e nëpunësit publik që mbanin.

Madje, Erald Majushi, i cili mban një post nëpunësi në Këshillin e Qarkut, e dokumentoi presionin për vendin e punës edhe në letrën e dorëheqjes nga Këshilli. “Për të mos cënuar vijimin e marrëdhënies së punësimit tim, si i vetmi burim jetese për mua, jam sot i detyruar/i kushtëzuar që t’iu paraqes zyrtarisht dorëheqjen time nga mandati i anëtarit të Këshillit Bashkiak Fier, nëpërmjet aktit prezent”, shkroi ai në qershor 2024.

Përplasje PS-PSD në Këshillin Bashkiak

Prej zgjedhjeve të vitit 2021, mes socialistëve dhe PSD-së së Tom Doshit, një biznesmen i pasur i shpallur “non-grata” nga SHBA për përfshirje në korrupsion, ekziston një koalicion i heshtur. Doshi mori kontrollin e PSD-së pasi u shtrëngua të largohej nga Partia Socialiste, por duket se lidhjet mbeten të forta. Për 4 vjet me radhë, 3 deputetë të PSD-së në parlament votuan në të njëjtën linjë me Partinë Socialiste, ndërsa PSD ishte një prej faktorëve kyç të fitores së socialistëve në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në bashkinë e Shkodrës. Por uniteti midis dy partive në parlament nuk është reflektuar aq shumë në Fier – një nga qarqet me numrin më të madh të deputetëve, ku socialistët kanë dominuar me rreth 60% të votave. Këtu, prej mbi një viti ka një konflikt të hapur mes këshilltarëve të bashkisë nga PSD dhe atyre socialistë.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në fillim të shtatorit 2024, kartonëve të opozitës kundër vendimeve të shumicës socialiste iu bashkuan edhe pesë të tjerë nga grupi i PSD-së. Ndërkohë, përpara mbledhjes së muajit shtator, këshilltarët e PSD-së kishin bojkotuar mbledhjet për pesë muaj në shenjë proteste për atë që e quajtën “mospërmbushje e kërkesave të këshilltarëve të PSD Fier nga ana e administratës së bashkisë.” Në faqen zyrtare të PSD-së Fier në “Facebook”, postimi që deklaronte bojkotin mban datën 30 prill 2024. Në shtator 2024, socialdemokratët u rikthyen në Këshill, por ata kundërshtuan dhe debatuan fort për projektvendimet e paraqitura nga administrata e bashkisë Fier. Diskutimet dhe debatet e këshilltarëve socialdemokratë u shoqëruan edhe me votë kundër, ndërsa në mbledhjen e fundit të vitit 2024, pasi kritikuan ashpër drejtuesit vendorë, ata abstenuan në votën për buxhetin e vitit 2025. Në vijim, gjatë muajve janar dhe shkurt, këshilltarët e PSD-së votuan kundër mazhorancës, madje ankimuan në Prefekturë disa vendime në mbledhjet e Këshillit. Anëtarët e kësaj force politike nuk e fshehin se janë në konflikt me Partinë Socialiste.

Floreta Gjini, këshilltare e PSD-së në Këshillin Bashkiak të Fierit, thotë se kriza ka nisur prej kohësh dhe fajëson për këtë ambiciet personale të drejtuesve socialistë të qarkut. “Prej kohësh në të majtën fierake ndihen qartë shenjat e një përçarjeje që, në thelb, duket se buron nga vetë individët brenda kësaj force politike”, tha ajo. “Një pjesë e tyre kanë rritur ndjeshëm ambiciet personale, duke u përpjekur të përvetësojnë vendimmarrjen, e duke lënë në hije interesat e elektoratit dhe të komunitetit që përfaqësojnë,” shtoi Gjini. Sipas saj, vendimmarrja e PSD-së lokale ka gjetur mbështetje edhe në qendër, prej nga u është thënë se “bashkëpunimi me PS” nuk prevalon mbi “integritetin dhe përgjegjësinë që socialdemokratët kanë ndaj qytetarëve.” “Ne mbështesim Partinë Socialiste kur ajo vepron në të mirë të qytetarëve, por nuk jemi dakord të bëhemi bashkëfajtorë nëse shkelet interesi publik,” theksoi Gjini, ndërsa shtoi se PSD-ja është sot një forcë e konsoliduar në Fier, me një bazë të fortë mbështetësish.

“Pavarësisht presioneve të ndryshme, ne qëndrojmë të palëkundur në parimet tona”, tha ajo. Përndryshe, anëtarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak këmbëngulën se përplasje nuk kishte. “Nuk ka përplasje mes të majtës”, nxitoi të thotë Arnando Çupa, sekretar i Këshillit Bashkiak Fier. “Nuk ka pasur bojkot nga socialdemokratët, nuk mbaj mend të kenë abstenuar për buxhetin, shtoi ai. Edhe Melsi Bogdani, këshilltar i PS-së në Fier, u përpoq të shmangë diskutimin për një konflikt të mundshëm PS–PSD. Por ai pranoi se në mbledhjen e 27 dhjetorit ka pasur debate të forta në Këshill, ku socialdemokratët kundërshtuan buxhetin. “E vërtetë është se në mbledhjen e dhjetorit, kur do të miratohej buxheti i 2024-ës, grupi socialdemokrat kundërshtoi dhe debatoi fuqishëm”, tha Bogdani. “Por nuk e di nëse votuan kundër apo abstenuan, sepse nuk u interesova më pasi dëgjova nga kryetarja: ‘Miratohet’”, shtoi Bogdani, duke iu referuar shumicës socialiste, e cila përbën 60% të mandateve të Këshillit.