16 Shkurt 2024

Ekspozita “Introspeksion” paraqet një rrugëtim në kohë dhe periudha të ndryshme të krijimtarisë së piktorit Toni Milaqi. Piktori e sjell këtë ekspozitë si një qëndresë përballë dhunës dhe si një formë krijuese, që sheh me besim kah e ardhmja. Piktori Toni Milaqi jeton dhe zhvillon aktivitetin në Greqi dhe në intervistën për gazetën “SOT” thotë se kjo është ekspozita e parë personale që hap në Tiranë. Piktori shprehet se në këtë ekspozitë në GAT prezantohet një përzgjedhje e pikturave që janë realizuar gjatë 5 viteve të fundit. Në vëmendjen e piktorit është dhe zhvillimi i artit pamor në vendin tonë apo dhe mënyra se si ka funksionuar dikur Galeria Kombëtare e Arteve. Piktori thotë që klanet e mëdha që kanë ekzistuar nuk lejonin të prezantoheshin vlerat e vërteta që kishte arti shqiptar. Toni Milaqi, lindur në Tiranë dhe banues në Athinë, Greqi, studioi për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Akademinë e Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), për pikturë monumentale.

Me një karrierë 30-vjeçare, ai ka organizuar disa ekspozita personale nëpër botë, duke përfshirë “De la violence et d’autres demons” (2016) në Desmos Galerie, Paris; “The Sleep of Reason Produces Monsters” në Balkan Art Gallery, Xanthi (1999); Astrolavos Gallery, Piraeus (1996), dhe Dimokritos Gallery, Athinë.

-Ju jetoni dhe zhvilloni aktivitetin tuaj në Greqi dhe këtë muaj vini me një ekspozitë personale në Tiranë. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi Introspeksion “ Arsyeja që të qëndrosh stoik përballë dhunës”?

Toni Milaqi: Klanet e mëdha që kanë ekzistuar në

Kjo është ekspozita e parë personale në Tiranë që hap si piktor. Në “Introspeksion” janë udhëtime brenda meje, sepse është koncepti që kam që për të njohur botën, ambientin rrethues duhet në radhë të parë të njohim vetveten. Nëpërmjet këtij udhëtimi brenda meje përpiqem të analizoj dhe fenomene që janë pak më jashtë. Unë analizoj njëkohësisht dhe fenomenin e dhunës për vite e vite të tëra, sepse dhunën e gjejmë kudo, e gjejmë tek makinat, te njerëzit, te mënyra se si sillemi, të pushteti që ushtrojnë shumë individë apo dhe qeveri, por edhe klane të caktuara. Për  t’iu kundërvënë gjithë kësaj dhune që e ndeshim në çdo hap mënyra e vetme për mua është te njerëzit e mi të dashur, të prindërit e mi, te bashkëshortja ime, tek vajza ime, tek e ardhmja që e shoh me optimizëm me gjithë këto fenomene që kemi përqark, dhe njëkohësisht tek natyra. Këto janë ato elementët që më bëjnë të qëndroj stoik dhe edhe në këmbë.

-Në këtë ekspozitë që ju keni hapur në GAT janë 38 punime në pikturë, që janë përzgjedhur nga punët tuaja këto 5 vite…

Shumica janë punë që realizuar gjatë pesë viteve të fundit. Janë punë nga më të mirat, nga më cilësoret të këtyre viteve të fundit. Kam ardhur për këtë ekspozitë në Galerinë e Artit Tiranë me punët e mia më të rëndësishme. Këto punë prezantohen për herë të parë në publik. Pas disa muajsh do të ekspozohen dhe në një ekspozitë që do të hapet në Athinë.

-Kjo është ekspozita e parë personale pas tre dekadash që ju jeni larguar në Greqi. Pse keni munguar kaq gjatë me një ekspozitë personale në Tiranë?

Për ekspozitën më erdhi ftesa nga Galeria e Artit Tiranë dhe nga kuratorja Edit Pula, kështu që ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Për mua personalisht është një nga momentet më të rëndësishme, sepse Tirana është qyteti im i lindjes dhe kam jetuar 19 vite këtu. Kam studiuar në Tiranë dhe për 31 vite jetoj në Athinë. Kështu që me këtë kthim unë vij te njerëzit e mi të dashur, te vendi që e dua shumë, ekziston brenda meje sepse është vitet e fëmijërisë. Janë shumë faktorë që kam munguar, por nuk do ta kisha të mundur ekspozitën  nëse nuk do të ishte ftesa e GAT.

-Ju jeni prej vitesh në Greqi, çfarë mund të na thoni mbi aktivitetin tuaj atje, si zhvillohet, si janë prezantimet tuaja?

Unë e ndjej veten që jam me dy atdhe, Shqipëria dhe Greqia, njëkohësisht jam dhe shtetas grek. Origjina ime është dhe minoritare, kështu që ka edhe lidhje të dyfishta me Greqinë. Është rutina ime, por mendoj që publiku është njëlloj kudo. Nuk ka publik të ndryshëm, ka njerëz që e duan artin, ka njerëz që nuk interesohen për artin dhe ata janë më të vështirët, por janë dhe më të pafajshmit, sepse nuk do të futen në galeri. Zakonisht ata që janë të interesuar për artin do ta gjejnë rrugën dhe do të komunikojnë me veprën. Kështu ndodh dhe në Greqi edhe në Shqipëri, nuk shoh ndryshime të mëdha Unë kam galeritë e mia që kam bashkëpunuar, njerëzit që më njohin atje, kam kritikë arti që kanë shkruar, që bashkëbisedojnë me mua me veprën time dhe kjo më bën të ndihem mirë.

-Aktivitetin tuaj e zhvilloni larg Shqipërisë dhe jeni nën syrin e kritikës së artit, me prezantime në ekspozita të ndryshme, por si ka qenë rrugëtimi juaj me krijimtarinë?

Ka pasur faza të ndryshme. Ka pasur shtresëzime të ndryshme piktura ime. Ka pasur faza kubiste, ka pasur faza më primitive, ka pasur faza më naive, ka pasur faza që i afrohen pop artit, ekspresioniste, këto shtresëzime duken dhe tek piktura e tanishme që bëj. Ekzistojnë dhe elementet komik, primitiv, elemente pop, elementet ekspresionistë. Këtu kam ardhur vetëm me punët e fundit, kështu që të mëparshmet nuk janë. Janë të një karakteri tjetër, por gjithë ajo pasuri vjen dhe nxjerr kokën dhe tek këto piktura.

Toni Milaqi: Klanet e mëdha që kanë ekzistuar në

-Më parë ka funksionuar dhe Galeria Kombëtare e Arteve, pasi tani është mbyllur për shkak të punimeve që po kryhen atje. A keni pasur ftesa nga GKA?

Kanë munguar ftesat nga Galeria Kombëtare e Arteve më parë. Unë kam bërë oferta dhe propozimet e mia për të ekspozuar dhe nuk janë pranuar, sepse ndoshta kam mbajtur dhe disa qëndrime të ashpra dhe kritike ndaj Galerisë Kombëtare të Arteve në vite.

-Në atë që ju keni parë, çfarë mund të na thoni mbi proceset e zhvillimit të artit tonë?

Unë i ndjek proceset e zhvillimit të artit në Shqipëri. Unë kam dashuritë e mia në artin shqiptar. Dy artistë të mrekullueshëm që më kanë ushqyer në artin tim, ku njëri është Edi Hila me të cilin kam studiuar. Unë kam pasur dhe një blog “Arti në kohërat e kolerës” që bëja shkrime për artin shqiptar dhe aty ka analiza dhe për artin botëror. Por aty kam bërë dhe shumë armiq. Shumë mendime të miat, që atëherë kur u shkruajtën quheshin heretike, tani janë masë në Shqipëri. Tani kanë kaluar në të gjitha këto instancat që nuk guxonin të kalonin dikur edhe pa më cituar mua. Aty janë bërë shkrime qoftë për Llambi Blidon për “Vajzën në pultin e komandimit” që është një vepër shumë  e rëndësishme dhe që unë kam qenë ai që e kam cilësuar si artisti i parë i pop artit shqiptar. Jo pop art në kuptimin e pastër të fjalës por me një gjuhë që i afronte pop artit, se ai ishte realizëm socialist, por nga ana tjetër kishte  një modulim që shkonte drejt pop artit. Një ide pastaj që u përqafua dhe folën dhe shumë të tjerë për Llambi Blidon si artist i pop artit dhe asnjëri nuk citon kush është ai që e zbuloi këtë fakt. Unë kam bërë studime për artin shqiptar dhe e njoh artin këtu, ashtu sikurse adhuroj Edison Gjergon. “Epikën e yjeve të mëngjesit” të Gjergos e quaj veprën më të rëndësishme për mendimin tim të shekullit të njëzet në artin shqiptar, ashtu sikur adhuroj “Mbjelljen e pemëve” të Edi Hilës që është një vepër e mrekullueshme e artit shqiptar që e pashë dhe në Athinë te “Dokumenta” dhe që shënjon një krijimtari tepër të rëndësishme që ka Hila. Këto janë referencat, sikur dhe nga brezi i ri ka emra, por që nuk janë konsoliduar në atë fazën siç janë emrat që përmenda më lart.

-Për ju ka shumë rëndësi dhe kritika profesioniste në fushën e artit, por duket se këtu pak e gjejmë sot…

Ka zëra që mundohen të bëjnë kritikën e artit në Shqipëri. Por problemi më i madh në Shqipëri janë fatkeqësisht klanet e mëdha që kanë ekzistuar në GKA apo qoftë tek ata që kanë pasur pushtetin. Sepse ato klane bënin që të mund të mos paraqiteshin vlerat e vërteta që kishte arti shqiptar, por i bënin qokat miqtë dhe shokët njëri- tjetrit. Kjo e ka lënë dhe pak mbrapa skenën e artit si zhvillim. Do ishte shumë më mirë sikur të përqafoheshin vlerat e vërteta që ekzistojnë në ambientet e artistëve shqiptarë. Këto janë problematika të artit shqiptar, që i ndeshim vite të tëra dhe shumë gjëra nuk i lënë të zhvillohen. Kemi nevojë për një përqafim të të gjithëve. Ai që do të jetë në një institucion, duhet të jetë sa më i hapur në ide të reja.

Intervistoi: Julia Vrapi