Topalli: Basha, një rrogëtar i Ramës. Duhet rrëzuar. –
“Të sqarohet çfarë do të thotë mosbindje civile, se nuk shkon; pjesëmarrja në Parlament dhe mosbindja civile bashkë.
Pas ndryshimeve statutore që pritet të miratohen në Kuvendin Kombëtar të fund Prillit, ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli sheh farsën e radhës së Lulzim Bashës, për të mbajtur karrigen e kryetarit.
Në një intervistë për Televizionin Klan, Topalli thotë se thirrja e Kuvendit për të ndryshuar statutin e demokratëve është një mënyrë hileqare nga ana e Bashës për t’u fshehur pas shkaqeve të vërteta që kanë çuar në krizë Partinë Demokratike.
“Jam e kthjellët për qëllimin që Basha ka prej vitesh. S’më bën përshtypje që ai s’vë asnjë nen që do japë dorëheqjen, ai përsëri do ngrihet dhe pse vjedh votat brenda shtëpisë, është dëshpëruese. Është ajo që kam thënë prej kohësh që PD e kanë marrë peng, s’ka rëndësi nëse humbet 1, 2, 3 apo 10 palë zgjedhje, pasi Basha e ka marrë PD si biznes familjar dhe asgjë nuk më zhgënjen.
Është e rëndësishme që Luli të mbajë karrigen, të tjerat s’kanë rëndësi. Është e rëndë që PD që ka lindur si forca për votën e lirë s’ka zgjedhje, vota e proces të drejtë dhe kur vendi po rrëshqet buzë greminës dhe dikush do të mbrojë karrigen e Lulit”, thotë Topalli.
I vetmi shkaktar për disfatat e njëpasnjëshme të demokratëve thotë se është Lulzim Basha, ndaj dhe ndryshimet statutore nuk i sheh aspak si një mundësi për ringritjen e Partisë Demokratike.
“Është qesharake, është t’ia bësh me hile demokratëve sikur fajin e paska statuti. Kush është ai qytetar që beson se kjo situatë degraduese e dëshpëruese vjen për shkak të statutit. Statuti i PD ka pas të garantuar çdo mekanizëm për çdo anëtar të jetë i lirë. Çdo gjë tjetër është fasadë e re dhe antistatutore”.
Dhe për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti, demokratët i fton që më parë të rrëzojnë Lulzim Bashën.
“Për sa kohë Basha është në krye të PD, Rama do jetë rehat në vendin e tij. Ka vetëm një mënyrë për të rrëzuar Ramën, kthimin e opozitës në shinat e saj, s’mund të jetë po një kryetar që është në listëpagesën e Kryeministrit dhe oligarkëve”, akuzoi Topalli.
Topalli ironizon aksionin e mosbindjes civile, teksa kritikon edhe sjelljen e opozitës ne seancën e fundit parlamentare.
“Të sqarohet çfarë do të thotë mosbindje civile, se nuk shkon pjesëmarrja në Parlament dhe mosbindja civile bashkë, nuk rrinë. T’i shpjegojë shqiptarëve është për mosbindje civile apo jo, Parlamenti është kthyer në degradim të madh”.
Ish–nënkryetarja e demokratëve refuzon ta njohë Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, ndaj paralajmëron se nuk do të jetë pjesëmarrëse në Kuvendin Kombëtar që do të mbahet në 28 dhe 29 Prill.
a.s/dita