TRAJTIM ARTISTIK I NJI BESTYTNIE TË LASHTË. –
TRAJTIM ARTISTIK I NJI BESTYTNIE TË LASHTË. –
Nga: Agim Morina.
Qysh me romanin e parë, Përroi i Andrrës (2004), shkrimtari Petrit Palushi u paraqit me nji profil mjaft të veçantë, qoftë në pikpamje të teknikave të rrëfimit, qoftë në anën e trajtimit të gjuhës. Asht e kuptushme që beteja e nji shkrimtari me gjuhën asht e përhershme. Hulumtimi i vazhdushëm, i pandalshëm asht pjesë e pashmangshme e procesit krijus sepse me gjithë punën e përditshme e të përhershme me gjuhën asht e pamundun me u thanë ajo që nji shkrimtar e ndin me të vërtetë dhe don me e thanë. Këtë e pranon edhe Dostojevski i cili thotë se megjithse kishte shkru për tridhetë e kusur vjet ai ende s’kishte mujtë me thanë ate që kishte dashë sepse ajo që kishte dashë me thanë i kishte mbetë gjithmonë nën rrashtë. Në këtë vijë duhet të kuptohen edhe valavitjet e Palushit me gjuhën në të trija veprat e tij me radhë.
Rivaliteti në mes jetës dhe vdekjes
Landa e romanit Njeriu që kujdesej për varrin e vet asht nji landë jo e rëndomtë, jo shumë e zakonshme për letrat tona por kjo nuk mun me u thanë edhe për legjendat tona popullore. I kundrumë ma thjesht, në shikim të parë, ky asht nji roman i marrdhanies prindore, i babës me fëminë. Shfaqet si ankth i nji babe mbas vdekjes së të birit, nji andrrallë që e bart çdo prind në planet. Me vetë titullin, qysh në rreshtat e parë e deri në fund, ndihet trishtimi herë shqetsus e herë tronditës sepse fakti se Bardhi hap nji vorr për veten që vdekja ta marrë atë e jo edhe ndonji prej fëmive tjerë, asht akt sa madhshtor aq edhe trishtimplotë. Duket si nji veprim i shtytun prej nji besimi kohnash të stërlashta, si i dalun prej tempujsh pellazgë, nji mit i ikun prej bibliotekash të Babilonisë apo pergamenash egjiptiane, për me i ba ballë turrit të vdekjes.
Në plan të gjanë, prandej, romani ban fjalë për shemrakinë (rivalitetin) ma të lashtë, të përhershme që vlon në gjinin e njerëzimit, shemrakinë në mes jetës dhe vdekjes. Kjo asht shprehë edhe në veprën që merret si ma e lashta vepër letrare e njerëzimit, në Gilgameshin, i cili kërkon barin e përjetsisë. Ballafaqimin e çuditshëm me vdekjen e ndeshim edhe në legjendën e Konstandinit e Doruntinës dhe, poashtu, në legjendën e Rozafatit. Gilgameshi e kërkon përjetsinë, e gjen dhe e humb, Konstandini ringjallet për Besën e dhanun tue sfidu edhe vetë vdekjen, ndërsa nusja ma e re në legjendën e Rozafatit flijohet, i dorzohet vdekjes, për me mujtë me qëndru kështjella. Këto janë ballafaqime që për kundërshtar kryesor e kanë Vdekjen. Edhe në këtë besojmë (bestytni) të hapjes së vorrit për t’i shpëtu antarët tjerë të familjes bahet nji ballafaqim i këtillë me vdekjen. Ashtu si nusja ma e re që flijohet te Rozafati, edhe në këtë besojmë baba asht i gatshëm me u fliju dhe i jep sheja të qarta vdekjes, komunikon me te, tue ia ba me dije se po erdhi, ku i kërkohet me shku apo ku përgjërohet me shku.
Ky tekst merret me nji fakt tronditës, ma thelbësor në jetën njerëzore, merret me vdekjen si dukuni apo edhe ma tragjike se kaq, merret me vdekjen e nji fëmije. Prandaj vjen natyrshëm përqëndrimi ma i madh në meditime dhe introspekcione psikologjike, krijohet nji lojë e vazhdushme nervash dhe autori ia ka mbërrijtë, në masë të madhe, me hy artistikisht në lëkurën e protagonistit kryesor, Bardhit, e me e hulumtu shpirtin e këtij njeriu të vujtun i cili tue mos gjetë zgjidhje tjetër të mundshme për shkak të tragjedisë që e ka goditë hap nji vorr për veten për m’i shpëtu fëmitë e tjerë.
Asht nji fazë te njerëzit, tek të afërmit e të cilit ndodh vdekja, që ata në fillim nuk dëshirojnë ta pranojnë këtë fakt. Kjo asht luftë e vërtetë psikologjike ku nxjerr krye çdo virtyt e ves njerëzor, edhe egoizmi, edhe frika, edhe pasiguria, edhe solidariteti, edhe hakmarrja, edhe kotësia, edhe meditimet filozofike etj. Thjesht njeriu bahet tragji-komik sepse ndeshet me nji të vërtetë të fundit, absolute e të pamohushme. Te disa kjo kalon ma shpejt, te disa ma ngadalë, e te disa nuk kalon kurrë. Arsyet pse ndodh kjo janë ende të panjohuna deri në fund por nji shkrimtar mun me përshkru se cilat janë manifestimet e njerëzve të ndryshëm që i ban ata me qenë të tillë çfarë janë. Nji zdritje të këtillë të skutave të mshefta të psikologjisë njerëzore përpiqet me ba edhe Palushi.
Besimi se vdekja mun me u udhëzu asht doemos mbeturinë e besimeve të lashta animiste. Në këtë vijë kjo besojmë bahet edhe nji margaritar në vargun e besojmave tona shumë të lashta popullore, të cilën autori e ka gjetë në hulumtimet e veta tue mbledhë fjalë e shprehje të rralla, përralla e anekdota nga goja e popullit. Por ai, njikohësisht, ban edhe plotsime të kësaj besojme me përshkrime e situata që i shkojnë mjaft mirë veprimit në roman.
Asht për t’u vu në dukje se proza e Palushit, sidomos romanet Përroi i Andrrës dhe Njeriu që kujdesej për varrin e vet, ka nji frymë surrealizmi në sprovën për të depërtu dhe për ta hulumtu anët ma pak të njohuna të shpirtin njerëzor. Lexusi e ndin peshën e dhembjes e të shpresës, të dhembjes reale dhe te shpresës së kotë e cila kur nuk largohet dot dhe shpesh shndërrohet në trishtim. Të rrëfymit diskontinuitiv në këtë roman arrihet nëpërmjet ndërkalljes së disa rrëfejzave popullore mbrenda rrëfimit kryesor. Këto rrëfejza shkrihen dhe funkcionalizohen natyrshëm tue i dhanë nji vlerë të lakmushme tanësisë rrëfimore.
Eksperimente syzheike dhe risi gjuhsore
Romani Njeriu që kujdesej për varrin e vet, përveç eksperimenteve syzheike, ka edhe risi gjuhsore dhe kjo, padyshim, ia shton vlerën këtij teksti. Këto risi të guximshme gjuhsore vijnë si nevojë e mbrendshme e rrëfysit, por, gjithsesi, janë edhe ndikim nga proza popullore me të cilën Palushi merret çdo ditë.
Në romanin e tij të parë Përroi i Andrrës (2004), Palushi hyni tue përdorë fjalë të gegnishtes që nuk gjenden në fjalorët zyrtarë si:
– johnonte, ashtusoj, ngrija, egërtinë, apo edhe fjalë të reja që janë kriju prej tij: papërtypas, vegimshëm, qiellnaja, bornaja, bujtinzë, dielltas, e qielltë, e shkrumbtë, ëmbëltas, fytnajë, gazmendar, gropshtinë, hapaqorras, humbtajë, etj.
– trajta të cilat ai i dëgjon ndër bashkqytetarë e jo qysh janë në fjalorët zyrtarë: “dy ndihmatarë” dhe jo “ndihmëtarë”, “shkret” dhe jo “shkretë”, “mallëzuar”, për “përmalluar”; “vogëlohej”, për “zvogëlohej”, “lajmonin”, për “larmëronin”, “lehtohej, për “lehtësohej”; etj. Masandej në veprën e tij të parë munden me u ndeshë edhe shprehje të rralla e poetike si: “në përfytyrimin më të hapësirshëm”, “për netë të panumërimta të njehte kokërriza të panumërta”, “(k)ur yllzit humbën në humbtajën e qiellit”, “hëna qe dritë e zotit, siç qe dritë e zotit edhe drita e natës së ftohtë të vorrit”; “të lodronte ankthshëm në mendjen e tij”; “u zhytën në kupën e qielltë dhe humbën nën llamburitjen e yjeve”; etj. që janë dëshmi të qarta të nevojës së shprehjes dhe jo teka të çastit apo ndërtime sa për t’u dukë. Nji trajtim i këtillë i gjuhës nuk asht i rastit edhe lidhet me faktin që P. Palushi ka ba nji punë të jashtzakonshme tue mbledhë material rrëfimor nga goja e popullit dhe i ka funkcionalizu këto me mjaft mjeshtri.
Përpjekjet për sprovimin e mundsive të reja shprehse Palushi i vazhdoi edhe në veprën tjetër, Tri motra në nji qytet (2006) dhe këtu po shënoj vetëm disa njisi që i kam veçu prej këtij romani: Ajo qyqe qyqevetëm; i pakmëparshëm; krahneza e brymës; krejtekrejt; një mbledhnajë fëmijësh; një zë i shkretëtirtë; pa kryeçarje; pluhnaja; për të disatënherë; si ndërdyshtas; thirrnaja; të pikaderdheshin; të vrantësirshme etj.
Por, në Njeriu që kujdesej për varrin e vet, gjurmët e hulumtimeve për shprehje sa ma të natyrshme e të plotkuptimshme vazhdojnë me u pa qartë dhe kanë shku mjaft larg. Tash Palushi nuk kënaqet tue ua mveshë personazheve të folunën veriore por edhe rrëfimi i tij merr ngjyra ma të forta të gegnishtes tue e përdorë në vazhdimsi pjesoren dhe paskajoren e gegnishtes mbrenda nji kornize të gjuhës letrare toske. Kjo asht nji përpjekje e qartë për me kriju e me pasunu edhe ma shumë nji shqipe të mundshme të përbashkët. Ai fut ndërtime të tana si: “e ngatërron numërimin dhe yllzat i përzihen si të ishin zhytë në një lëmsh për të mos u lirue kurrë më’, “(e) lamë me ecë bashkë”, “qe zhdukë në ujë për mos me dalë më kurrë prej andej”, etj. Me këtë Palushi rifut përdorimin e paskajores në gjuhën e tij rrëfimore mbrenda rrethanash që ai i sheh të mundshme. Më shumë sesa mohus rregullash të vendosuna me 1972, Palushi në librin e fundit del si reformator i këtyne vendimeve, si propozus mundësish të reja. Kjo asht nji frymë e re, e guximshme dhe e domosdoshme, që duhet me ndodhë sot e tutje ndër shkrimtarë të shqipes dhe Palushi asht prej krijusve të rrallë të gjeneratës së tij që paralajmron hullinë e re në hulumtimin e këtyne burimeve të reja shprehse të shqipes.
Vetë fakti që rrëfimtarë të shqipes, të kandshëm për t’u ndëgju e për t’u lexu, në arealin e gegnishtes, kanë shku tue u rrallu e tue u zhdukë qysh prej vjetit 1945 tregon kataklizmën e vërtetë nëpër të cilën ka kalu njeni krah i shqipes, e, me këtë vetë shqipja. Po të kishte qenë e mundun me ba letërsi të madhe në nji gjuhë apo dialekt të panjohun deri në fijet më të holla e më të ndishme gjuhsore nga nji shkrimtar, atëherë Dante Alighieri kurrë nuk do ta kishte lanë menjanë latinishten – mbretneshën e gjuhëve – e me shkru n’italisht. Sepse, sa i përket rregullave akademike, edhe Aligher-i do ta ketë njoftë ma mirë gramatikën e latinishtes, por asht vetdijesu se merr frymë në italishten fjorentinase. Nji art i madh letrar, natyrisht, nuk bahet pa e ndi thellë këtë frymarrje të gjuhës. Prandej, le të shpresojmë se përpjekjet e P. Palushit dhe të krijusve që do të vijnë, në afrimin ma të madh të shqipes, qoftë edhe tue eksperimentu aty-këtu, kanë me dhanë fryte të prituna për nji shqipe ma të gjanë e gjithpërfshimse.