Trashëgimia kulturore, Hasan Nallbani: – Askush nuk të pyet në IMK, nuk merret mendimi i specialistëve, lënia në dorë të amatorëve problem.
Trashëgimia kulturore, Hasan Nallbani: – Askush nuk të pyet në IMK, nuk merret mendimi i specialistëve, lënia në dorë të amatorëve problem.
NGA JULIA VRAPI
4 SHTATOR 2021
Muaji shtator i dedikohet trashëgimisë kulturore, kjo u bë me dije para pak ditësh nga ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës (me ligjin e ri të trashëgimisë kemi Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore) shpesh janë kritikuar nga specialistë të ndryshëm për moskujdesin në monumentet e kulturës. Hasan Nallbani, piktor, restaurator, ish punonjës i Institutit të Monumenteve të Kulturës ka një kontribut të madh në fushën e trashëgimisë kulturore. Si një nga specialistët e njohur në vend Nallbani shprehet me kritika ndaj institucioneve. Specialist i trashëgimisë kulturore, Hasan Nallbani thotë se ndihet mungesa e konsultimeve, monitorimeve në objekte, çka sjell pasoja. “Problem është se nuk merret mendimi i njerëzve që janë specialistë, i atyre që janë marrë me këtë punë dhe që kanë kontribut në fushën e trashëgimisë kulturore. Mungesa e konsultimeve, mungesa e monitorimit të objekteve ku ndërhyhet, bëhet punë që sjell pasoja. Kush të pyet në Institutin e Monumenteve të Kulturës sot? Esenciale është kjo: lënia në dorë të amatorëve të njerëzve të papërgjegjshëm. Ky është problem sot në trashëgiminë kulturore”, shprehet profesor Nallbani.
Përgjegjësia e institucioneve
Piktor dhe restaurator Hasan Nallbani tregon se në kohën kur ka qenë në IMK gjithmonë bashkëpunimet ishin me njerëz të kualifikuar. “Institucionet kanë detyrimin zbatimin e ligjit dhe rregullat. Të thërrasin njerëzit që janë të fushës, jo njerëz koti që hyjnë në tendera dhe marrin përsipër ndërhyrje që nuk i njohin dhe nuk i dinë. Në kohën tonë kemi bashkëpunuar dhe me specialistë të huaj, që ishin njerëz të kualifikuar për këtë fushë dhe kishte një kujdes për atë punë”, shprehet Nallbani. Në aktivitetin e tij, piktori dhe restauratori Hasan Nallbani është marrë dhe me muzeun ikonografik “Onufri”, në Berat. Ai sjell në vëmendje punën që është bërë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, ku sipas tij ekspozimi i ikonave nuk është si duhet. “Në muzeun ikonografik në Korçë janë hedhur miliona para me specialistë të huaj. Por a e keni parë se çfarë është bërë? Unë që bëra një muze “Onufri” në Berat pse nuk më pyeti njeri për një ndërmarrje të tillë, që ishte e karakterit kombëtar? Nuk pyeti njeri të konsultohej. Si ekspozohen ato ikona ashtu? E keni parë se si i kanë vënë në mur, sikur të jenë mall për të shitur”, shprehet Nallbani. Ministria e Kulturës herë pas here publikon foto dhe miratime projektesh, por për piktorin dhe restauratorin Hasan Nallbani nuk ka rëndësi vetëm miratimi. “Projektet miratohen dhe mund të jenë korrekt rregullit, por ka rëndësi se si zbatohen ato në terren. Në çfarë mënyre zbatohen, si monitorohen dhe si mbyllen”, shprehet ai. Me kritika piktori dhe restauratori Hasan Nallbani shprehet dhe me për mënyrën se si është bërë ndërhyrja restauruese në disa raste. Sipas tij, restaurimi është një ndërhyrje shkencore që bëhet me ekip dhe nuk bëhet me një njeri.
4 SHTATOR 2021