Trashëgimia kulturore në Preshevë pasurohet me një tjetër libër monografik. Bëhet fjalë për librin “Presheva- pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, e autorit preshevar, profesor Xhemaledin Salihu.

Sevdail Hyseni shkruan se autorit i ka lindur ideja për një monografi të përgjithshme për Preshevën prej kohësh, duke hulumtuar, grumbulluar e sistemuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe duke trajtuar aspekte të jetës shoqërore të kësaj krahine autoktone shqiptare.

Në këtë libër trajtohen tema të rëndësishme nga aspekti gjeografik,toponimik, historik, gjatë kohërave të ndryshme, luftërat dhe rezistenca e Shqiptarëve të Preshevës për liri e drejtësi, trashëgimia kulturore, trashëgimia natyrore, trashëgimia shpirtërore, Karadaku i Preshevës, arsimi, kultura dhe informimi i saj.

Monografia përbëhet nga 6 kapituj, konkretisht kapitulli I: Mëhallët dhe toponimia, kapitulli II: Histori, kapitulli III: Trashëgimia kulturore, natyrore, shpirtërore, Karadaku, kapitulli IV: Arsimi, kapitulli V: Kultura dhe kapitulli VI: Informimi.

SHPJEGIM MBI KAPITUJT:

Në recensionin e Dr. Veton Zejnullahu, duke lexuar librin për Preshevën nga autori Xhemaledin Salihu, që në kapitullin e parë mësojmë për Mëhallët e Preshevës, që janë karakteristike për organizmin territorial të qytetit dhe vërejmë se janë dhjetëra mëhalla, secila me karakteristikat e veta dhe me shtrirje që autori na jep të dhëna deri në detalet më të vogla. Gjithashtu, në hollësi jepen edhe toponimet e Preshevës dhe fshatrave përreth saj, duke dhënë me qindra emërtime, të cilat janë ruajtur me fanatizëm nga banorët vendorë, të cilat i shoqëron me fotografi shumë të vjetra, por edhe dokumente dhe harta, që flasin më së miri për toponiminë e kësaj ane.

Në kapitullin e dytë autori përqendrohet në aspektin historik, duke na sjellë shumë fakte për të kaluarën, sa të bujshme aq edhe të lavdishme të Preshevës gjatë rrjedhave të ndryshme të historisë.

Presheva edhe pse vend i vogël dhe i ndarë nga trungu i saj amtar, ajo gjithherë ka qenë kontribuuese e madhe e Lëvizjeve Kombëtare për Çlirim. Në të gjitha Kuvendet e mëdha kombëtare, Presheva ishte e përfshirë, duke dhënë kontributin e vet në përpjekjet e shqiptarëve për liri.

Dëshira e shqiptarëve për liri dhe bashkim me Kosovën u shprehën më së miri me Referendumin e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, të cilin autori e paraqet me foto dhe dokumente me vlera të shumta si kombëtare ashtu edhe historike.

Në kapitullin e tretë autori sjell të dhëna të shumta për trashëgiminë kulturore, natyrore dhe shpirtërore të Preshevës dhe na jep detaje për vendndodhjen e tyre, duke u shërbyer edhe me matjet gjeografike që t’i bëjë sa më lehtë të kuptueshme për lexuesin. Kalatë e vjetra, objektet fetare të të gjitha religjioneve, kullat, varreza të vjetra, duke dhënë edhe informacione shumë të sakta, pastaj pasuritë e pafundme natyrore dhe ato kulturore japin një imazh të plotë dhe shumë mbresëlënës për Preshevën dhe rrethinën e saj.

Në kapitullin e katërt, që flet për arsimin në Preshevë, shohim dëshirën e madhe të preshevarëve për shkollim dhe edukim. Gjurmë të shkollimit autori gjen nga kohërat më të vjetra dhe ato i paraqet në libër.

Edhe në kapitullin e pestë autori na jep shumë të dhëna dhe informacione për kulturën në Preshevë. Në këtë kapitull, autori ndalet për bibliotekarin në Preshevë, si dhe për perspektivën e saj.

Presheva për shumë vjet me radhë ishte edhe organizatore e festivaleve kombëtare të recitimit por edhe e vizitave të shumta të teatrove të ndryshme, të cilat performuan në Preshevë.

Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit autori flet për informimin në Preshevë, duke na dhënë të dhëna për fillet e gazetarisë në Preshevë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të studentëve preshevarë, të cilët përmes shoqatave dhe organizatave të ndryshme mundoheshin për një informim sa më kualitativ.