Tre bashki rrezikojnë rinumërimin, shkak përqindja e lartë e votave të pavlefshme
18 Maji 2023
Nga rezultati i garës së 14 Majit, 3 bashki kanë më shumë shanse për t’ju nënshtruar procesit të rinumërimit. Bëhet fjalë për Himarën, Rrogozhinën dhe Belshin, ku numri i votave të pavlefshme është shumë më i lartë se diferenca mes kandidatëve. Nga këto tre bashki, numrin më të lartë të votave të pavlefshme e ka Rrogozhina. Edison Memolla siguroi mandatin me 30 vota diferencë nga Shkëlqim Hoxha i “Bashkë Fitojmë”, por votat e pavlefshme arrijnë deri në 276.
Një numër të përafërt votash të pavlefshme ka edhe Belshi, 228 të tilla, ndonëse në këtë bashki, diferenca mes kandidatëve është 40 vota plus për Partinë Socialiste. Himara ka diferencën më të ngushtë nga të gjitha bashkitë e vendit. Fredi Beleri ia mori të majtës bashkinë vetëm me 19 vota plus, por në këtë bashki kanë rezultuar 165 vota të pavlefshme.
Sipas kryekomisionerit, Ilirjan Celibashi, këto vota të pavlefshme nuk i çojnë automatikisht për rinumërim këto tre bashki, por përbëjnë një ndër arsyet për ta realizuar një proces të tillë. Në të gjitha bashkitë e vendit, nga fletët e votimit për kryetar bashkie dhe këshill bashkiakë, rezultojnë 22, 265 vota të pavlefshme.Gazeta Dita