Tre breza piktorësh, – Margariti premton muze për familjen Buza

Do të kthehet në muze studioja e Abdyrrahim Buzës, themeluesit të shkollës së parë të vizatimit në Tiranë në vitin 1933. Ka lënë pas një fond të pasur me rreth 500 vepra.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në studion e piktorëve Buza

Nga: Dhurata Hamzai 

Pas ngritjes së Muzeut Kadare, në shtëpinë e tij në Tiranë dhe premtimit për Muzeun e Dritëro Agollit, duket se pesonalitete të tjera të mëdha të artit e kulturës do të kenë muzeun e tyre.

Kjo konfirmohet nga vetë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila gjatë një vizite në studion e piktorëve Buza e ka deklaruar projektin shprehur gjatë një takimi me piktorin e njohur Kujtim Buzën, djalin e Abdurrahim Buzës, njërit prej piktorëve më të shquar shqiptarë të shekullit të 20-të dhe themeluesit të parë të shkollës së parë të vizatimit në Tiranë në vitin 1933.

“Ishim sot në studion e piktorëve Buza: Abdurrahimit, Kujtimit e Sokolit. Një pasuri e tre brezave artistësh të familjes Buza, Abdurrahimit, Kujtimit dhe Sokolit, duhet inventarizuar, për të kaluar më pas në mundësinë e muzealizimit të studios dhe hapjes së saj për publikun.”, ka deklaruar dje ministrja e kulturës Elva Margariti.

“Tre breza artistësh, që ruajnë me fanatizëm një koleksion të jashtëzakonshëm veprash në pikturë, por edhe mijëra vizatime”, tha më tej Margariti duke vizituar veprat dhe koleksionet e Abdyrrahim Buzës, ku mes tyre spikasin disa portrete të rralla. Pranë tyre, i biri Kujtim Buza i rrëfen sesi babai i tij “Në vitet ’30 nisi të pikturojë portrete me ngjyrat e luleve”.

“Tirana ka nevojë për të tilla pika referimi”, u shpreh ministrja Margariti gjatë kësaj vizite.

Abdurrahim Buzën erdhi nga Gjakova në Tiranë për të jetuar e punuar.

Ai nisi të pikturonte duke pasur drejtues atelieje piktorin e njohur italian të kohës, Galileo Chini (1873-1956, piktor dekorativ dhe qeramist, pjesëmarrës në dy prej Bienaleve të Venecias).

Buza ishte një nga themeluesit e shkollës së parë të vizatimit në Tiranë në vitin 1933. Punoi në shkollën teknike “Harry Fultz”, në gjimnazin e Tiranës, në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Studiuesit dhe kritikët e artit e kanë vlerësuar Abdyrrahim Buzën si për punimet që ruajnë fanatizmin dhe striktizmin e kompozimit dhe trajtimit artistik akademik. Ato tregojnë për një piktor shumë punëtor, kërkues ndaj vetes dhe prodhues i madh. Linja e vizatimeve në këtë periudhë është e kujdesshme dhe e ngjeshur.

Kujtim Buza

Kujtim Buza, piktor, i biri i Abdyrrahim Buzës

Motivet nga vendi i tij do të zënë vendin kryesor në veprat e Buzës, ku sot  ruhen piktura të një vlere unikale e të papërsëritëshme në historinë e artit shqiptar.

Kujtojmë këtu pikturën “Refugjatët”, “Malësori”, “Vajza gjakovare”, “Dasma gjakovare”, “Lojërat popullore”, “Azem Galica dhe luftëtarët”. Për kritikën e artit ato nuk janë thjesht figura, por shpirtëra të figuratizuar sipas kujtesës dhe shpërthim i emocioneve të artistit mbi ta.

Abdurrahim Buza vlerësohet nga studiuesit si një nga piktorët e parë me individualite të spikatur, modern, i pangjashëm, i pakrahasueshëm me asnjë artist shqiptar të të kohës. Me veprat e tij ai tejkaloi disa nga koncepet e metodës së diktuar me mjeshtëri artistike.

Arkivi (Pinokateka) e Abdurrahim Buzes

 

Në vitin 1960 fitoi titullin “Piktor i Merituar”, ndërsa në vitin 1978 fitoi titullin “Piktor i Popullit” me vendim të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai është i pari piktor që realizoi nudon e parë nga natyra në Shqipëri. Abdyrrahim Buza na ka lënë një fond të pasur me rreth 500 piktura dhe mijëra vizatime. Arkivat e veprave të tij ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe në studion Buza, në Tiranë.

Autoportret Abdurrahim Buza

Nga: Shqiptarja.com