“Tre kamberë në një derë”/ Ekspozitë me karikatura nga Bujar Kapexhiu

– 09/06/20

Karikaturën, këtë krijimtari të zhanrit figurativ, që subjektet dhe tematikën i përshtat sipas strukturave origjinale të artit komik, fare pak e gjen në shtypin periodik. Arti komik aq i pëlqyer e i ndjekur nga lexuesit në letërsi dhe nga spektatorët në skenë dhe në film, ka një prapambetje dhe pak duket në shtypin dhe skenën shqiptare.

Shumë pak, sot, ka autorë që krijimtarinë e tyre artistike ia kanë kushtuar këtij arti, që të paraqet subjekte shumë interesante dhe, e gjitha kjo, që të dhuron të qeshurën. Pak gazeta e përdorin në faqet e tyre artin e karikaturës, ndoshta në këtë çast është për t’u lavdëruar Gazeta MAPO, që çdo ditë në faqen e parë ka kuadratin artistik të karikaturës me trajtimin e problemeve të përditshme të politikës, të jetës shoqërore etj.

Kjo, mund ta themi pa ndrojtje dhe pa e tepruar, është si rezultat i angazhimit të kësaj gazete të karikaturistit, tashmë më prodhimtari në këtë gjini, artistit shumëdimensional Bujar Kapexhiu.

Kur e pyesim Bujarin a është e vështirë të bësh çdo ditë një karikaturë, ai na thotë: “Për mua është më e lehtë të bësh një karikaturë në ditë, sesa një karikaturë në javë ose në muaj. Sepse jeta politike dhe sociale sjell kaq shumë material sa nuk di kë të zgjedhësh më parë për ta konkretizuar me artin e karikaturës. Sidomos në politikën aktuale me një sërë konfliktesh të përmasave nga më të ndryshmet, vendosesh në një vështirësi për të zgjedhur atë që është më e rëndësishme për t’ua servirur lexuesve.

Si në një makineri ku dhëmbëzat e ingranazheve kombinohen bukur me njëra-tjetrën dhe japin lëvizjet, ashtu edhe në cirkonvolucionet e trurit këto ingranazhe shtrijnë e rrotullojnë idetë e përditshme, duke bërë të mundur përcaktimin sa më të saktë të asaj që është më e rëndësishme në numrin e ditës. Jo rrallë ndodh që në mendje formulohen figurativisht në këndin e humorit disa ide njëherësh, por të vjen keq se je i detyruar të zgjedhësh vetëm një për në rubrikën e gazetës, të tjerat mbeten të pabotuara, sepse tematika është kaq dinamike sa ato bëhen të pavlefshme për aktualitetin”.

Bujar-Kapexhiu-

Bujar-Kapexhiu-

Sipas studiueses Zana Varvarica (Kuka), “karikatura si pjesë e artit humoristik e satirik së pari, i bën njerëzit të qeshin e më pas të mendojnë. Të shkruash për artin e karikaturës nuk është një lojë fjalësh të cilat vërtiten rreth imazheve që krijon artisti karikaturist. Natyrshëm është kërkim, njohje dhe shprehje kuptueshmërie ndaj impenjimit serioz figurativ të artistit mbi përbërjen e fenomeneve madhore të humorit dhe satirës. Dhe të shkruash për artin e karikaturës së Bujar Kapexhiut do të thotë të ecësh në brendësi të përvojës dhjetëravjeçare të kësaj krijimtarie… Kapexhiu e ndërton botën e tij të karikaturës pasi informohet seriozisht, përmes mediave, si një publicist ‘në detyrë’ rreth çdo ngjarjeje politike të ditës. Ai veçon lajmin kryesor ose atë që godet më shumë me historikun e vet, në zhvillimet politike, si dhe që godet më shumë në grupin shoqëror”. 

Në sallën e ekspozitës pyetëm studiuesin Agim Janina për disa vlerësime të tij. “Kapexhiu solli një frymë të re në karikaturën shqiptare, duke e rritur cilësinë dhe frymëmarrjen. Si artist, karikaturën e ka si një nënshkrim, një firmë, një vulë të mendimeve, qëndrimeve, apo asaj çka do t’u kumtojë të tjerëve. Ajo lidhet e ndërtohet jo vetëm me elemente të groteskut, por është edhe rrëfimtare e mbi të gjitha mban qëndrim. Kërkon të rrëfejë dhe e bën këtë jo vetëm me disa elemente të thjeshta, por e mban gjallë veprën, duke e mbushur me elemente humoristike. Kapexhiu është i pranishëm në shtypin shqiptar si një gazetar grafik që flet me figurë, me humor dhe shpesh krijimet e tij kanë vlerën e një artikulli problemor, zbërthejnë një situatë a gjendje, më bukur se çdo fjalë e shkruar, sepse artisti përmbledh në një fokus artistik brendinë e ngjarjes apo të thënies, pa harruar buzëqeshjen.” 

Bujar-Kapexhiu-

Bujar-Kapexhiu-

Më tej studiuesi dhe publicisti Ben Andoni nënvizon: “Për çdo ditë shqisat e artistit Bujar Kapexhiu mundohen të kapin trendin e lajmeve ditore dhe ai përmes figurave artistike i afrohet me gjininë e karikaturës, na i sjell të freskëta me abstragimet tejet të kuptueshme. Metaforat e kompozicionit janë të këndshme, por mbi të gjitha komunikuese me të gjithë… Ndaj, jo më kot, një mori e tërë njerëzish, që për çdo ditë presin lajmin më të freskët të jetës shqiptare, presin me padurim edhe atë Këndin e Bujarit. Është ditari i tij, një copëz kronikë, që e themi pa asnjë lloj brerje se mund të ndihë edhe studiuesin më të shkujdesur, vite më vonë, për të hedhur ide mbi vijimësinë e jetës shqiptare… Pikërisht, këtë medium Bujari e ruan me shumë finesë. Pasi, arti i karikaturës, që lehtësisht mund të përcaktohet si një satirë vizuale apo si një zhvillim modern bashkëkohor me lirinë e shprehjes që shijohet në shoqëritë liberale, për të është i bukur në të gjithë këtë drejtim. Duke na dhënë një kronikë të vërtetë alla-shqiptare. Dhe, mjafton të shfletosh ditë pas dite këtë dinamikë pune të tijën dhe do kuptosh paradoksin e jetës politike-ekonomiko-shoqërore të zhvillimit shqiptar.”

Nga Gazeta Mapo