TRIFON XHAGJIKA (1932-1963)
“Martir i Demokracisë”

Nga: Andrea Llukani.

Poeti disident Trifon Xhagjika ka lindur më 29 prill 1932, në Peshtan të Tepelenës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Studioi në pedagogjiken e Elbasanit (1947). Në vitin 1951 filloi punë si shef redaksie në Revistën “Pionieri”. Më 1954 mbaroi Shkollën e Bashkuar në degën Artileri Kundërajrore. Ka punuar në Degën e Rregulloreve në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjatë viteve që shërbeu si oficer, Trifon Xhagjika ka botuar cikle me poezi në shtypin e kohës, në revistën “Nëntori”, “Letrari i ri”, “Zëri i Rinisë” etj. Më 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmët”.


Trifon Xhagjika “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë. Filloi të bjerë në konflikt të hapur me regjimin dhe dënohet për agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë recitoi poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”. Trifon Xhagjikën e pushkatojnë më 23 dhjetor 1963, në moshën 31 vjeçare.

Pas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002). Poeti i pushkatuar, Trifon Xhagjika, mund të konsiderohet si një meteor drite në poezinë shqipe. Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.