Trishtimi i Shën Barbarës/ Gjendja e mjerueshme e kishës.-

Nga Fatmira Nikolli.

Brendia e kishës është imazhi i një trishtimi të pa skaj. Altari mbi të cilin muralet me ngjyra jepnin skena biblike të krijon veçse një imazh të asaj që ka qenë. Copa muresh bien, bashkë me bojën blu të një qielli të mundshëm. Dëmi i kohës ka qenë aq i madh sa nuk kuptohet më për cilën skenë biblike bëhet fjalë. Copat e mureve të rëna kanë zënë vend në dysheme, ndërsa tavani me dërrasa nuk është i plotë. Në fund të kishës, në zonën e korit në dy anët e derës, afreske të tjera po zhbëhen. Në to, shihen edhe gjurmë studimesh të kryera, për aq sa të lejon që drita që depërton nga dritaret e vogla. Tetë vite më parë, ajo ruante më shumë ngjyra se tani, ku duket se dorëzimi po bëhet i pashmangshëm.

Të dy shenjtorëve në dy anët derës së kishës, janë të zbehta. Fytyra e Shën Gjergjit mbi kalë është e dëmtuar, me gjasë nga pushtimet siç ka ndodhur rëndom nëpër vendet e pushtuara nga Perandoria Osmane ku shenjtëve u ‘nxirreshin’ sytë, ku besimtaret katolike kete pluhur e perdornin per mjekim te syve. Ndërsa Shën Mëhilli (Engjëlli Mikael) me aureolën mbi krye dhe krahët e engjëllit është i plotë në figurën e vet dhe në mesazhin, teksa vë përfund djallin. Anash strukturës ku gjenden afresket shihen ndërhyrje konservuese e konsoliduese të murit.

Nga kodra e Pllanës ku ndodhet kisha sheh lumin Mat dhe urën e Zogut. Fshati gjendet mes Milotit e Lezhës, pak minuta nga rruga kryesore. Rruga deri lart në fshat është e shtruar, ndërsa nga fshati deri lart në kishë, në varrezat e të cilës ende prehen të ikurit e fshatit, është pothuaj një shteg. Në oborrin e saj ende u jepen bekimet e fundit atyre që ndahen nga kjo jetë ndaj, dera e drunjtë e kishës është e hapur.

STUDIMI
Në librin e Aleksandër Meksit “Arkitektura e kishave të Shqipërisë shk.VII-XV” vë në dukej se kisha e Pllanës njihet nga vendasit si kisha e Shën Barbarës apo Barbullës. Përbëhet nga naosi e një hajat i vonë, i ndërtuar me tulla të shekullit tonë që duket se kanë zëvendësuar një më të hershëm, të cilin na e kumtpon në vitin 1610 Marin Bici, si një hajat i bukur para kishës. Meksi shënon se B.Orsini e quan si më të bukurën e Shqipërisë, ndërsa më vonë në vitin 1664, M.Skura e cilëson si kishë të peshkopatës së Krujës të cilën e ka rrëmbyer ajo e Lezhës. Në hajat ruhen dy afreske pasbizantine, në të djathtë dhe në të majtë të hyrjes për në kishë, ndërsa në brendësi në murin perëndimor, anash hyrjes janë dy afreske të stilit të protorenesancës.

Në sallë hyhet nga porta në murin perëndimor, nëpërmjet katër këmbë shkallëve. Një portë tjetër është në anën veriore mbuluar me hark gjysmërrethor.
Meksi vëren se salla përbëhet nga një vëllim unik, i mbuluar me çati druri e tavan dërrasash dhe përfundon në anën lindore me një absidë gjysmërrethore. Salla ndriçohet nga katër dritare të larta e të ngushta në anën jugore. Ato mbulohen me hark të rremë, të gdhendur në një gur të skuadruar. Po me gurë të skuadruar, janë edhe shpatullat e dritareve. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, me mure të rrafshëta që përfundojnë me një kornizë prej rrasash guri të të nxjerra pak ndaj faqes së murit e të profiluara lehtë. “Muret janë ndërtuar me gurë të çrregullt gëlqerorë e shtufi, të lidhur me llaç gëlqereje me mbushës të ashpër. Në murin jugor të kishës janë dy radhë të rregullta vrimash të brezave të drunjtë të muraturës. Në murin lindor të kishës del absida gjysmërrethore. Ajo nuk ka dritare dhe përforcohet në pjesën e poshtme me një mur.

Si në murin verior ashtu edhe në atë jugor duken qartë për nga ndryshimi i muraturës, fugat e takimit të hajatit të vonë me murin e ri të kishës. Po kështu në anën veriore ruhen pjesë të mureve të një ndërtimi shtesë që i është bërë kishës”,-thotë profesori. Sipas tij, arkitektura e kishës paraqitet e thjeshtë, siç janë përgjithësisht kishat e kësaj zone. Për datimin e saj ajo nuk ofron asnjë të dhënë. Nga ndërtimi planimetrik e teknika e ndërtimit mendojmë se i takon shekujve XIII-XIV duke pasur parasysh dhe përmendjen e në shek XVI si ndërtim i vjetër.