“Trojet” Arkiv i  vlerave dhe pasurise se Etnografise Shqiptare. – (Pjesa e dyte).

Të qëndisura prej mijëra vitesh, t’i deshifrosh këto mesazhe është një nisëm shumë më e madhe se sa thjesht  e vetëm një personi apo grupi studiuesish. Në to sheh shpesh përplasjen e të kundërtave, ndërthurjen e arit me argjendin, ivat e punuara me ngjyra të ndryshme, e plot sigla të tjera të trashëguara brez pas brezi, shpesh pa i ditur dhe kuptimin.

LINDA-SPAHIU

Një tjetër ndalesë mbresëlënëse bëhet në zonën e Hasit. Që nga përparëset që mbanin gratë në periudhë zie, tek këmishat me piktura asimetrike plot ngjyra që ngjajnë si të ishin punuar në atelien surrealiste të Mirosë, mbetemi pa fjalë përballë kreativitetit e gjuhës së pasur paçka se të pamundur për t’u deshifruar të këtyre simboleve.

Por përtej simboleve të padeshifrueshme në ditët tona, veshjet tradicionale përgjatë kohërave kanë patur si funksion përcjelljen e mesazheve të qarta. Për gruan veshja tradicionale ishtë një pashaportë e lexueshme nga cilido, ku përcaktohej i gjithë informacioni i nevojshëm për stadin e saj në shoqëri, gjendjen civile, moshën, apo periudhën e jetës që po kalonte.

Rrugëtimi në “Trojet” e Lindës është i gjatë e plot me surpriza, ku veshjet dhe objektet prekin të gjithë hartën e Shqipërisë. Ndalemi dhe tek disa punime druri të realizuara nëpër fshatrat e ndryshme të vendit, ku është gdhendur gjithashtu një pjesë nga ndërgjegjja e paartikuluar e fshatarëve, përmes formave të organeve seksuale femërore, apo totemave të ndryshëm.

Këto krijime janë kaq të fshehta e njëherësh kaq të thjeshta, sa dhe Linda është frymëzuar për t’i vendosur si logo fondacionit të saj një prej tyre. Logoja i ngjet një pikture tribale, që duket sikur ka mbijetuar përgjatë shekujve fazave zhvillimore të shoqërisë.

E përballë gjithë kësaj pasurie jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë njerëzimit, synimi i Lindës është i thjeshtë: t’i japë një muze 2000 artifakteve e veshjeve të koleksionuara e të ruajtuara përgjatë viteve, por edhe objekteve të tjera që do të shtohen në arkiv. Ëndrra e saj është të shohë krijimin e një muzeu, që do të garantojë që veshjet tradicionale dhe objektet e tjera të ruhen në kushtet e duhura, e që do të duhej të shoqërohej me krijimin e një laboratori kërkimor për  grupe të posaçme studimi që do të vazhdojnë traditën e etnografëve shqiptarë.

Mbi të gjitha ky muze do të duhet të inspirojë publikun për t’u njohur me trashëgiminë etnografike, e rrjedhimisht, me identitetin e tij. Pa këtë njohje me të shkuarën, Linda është e bindur se nuk mund të ketë një identitet të qartë  e njëherësh zhvillim të shëndetshëm të shoqërisë as në të ardhmen.

Nga: IntoAlbania