“Troket” dimri në Shqipëri, temperaturat bien dhe dëbora e parë zbardh malet në Korçë dhe Kukës. Qarkullimi i mjeteve pa probleme
“Troket” dimri në Shqipëri, temperaturat bien dhe dëbora e parë zbardh malet në Korçë dhe Kukës. Qarkullimi i mjeteve pa probleme
14 tetor 2021
FOTO/ Zonat malore në juglindje dhe veri të vendit janë zbardhur mëngjesin e kësaj të enjteje nga reshjet e para të dëborës, duke paralajmëruar ardhjen e dimrit në këto zona.
Në Qarkun e Kukësit, temperaturat u ulën që mbrëmjen e së mërkurës, për të pasuar në orët e para të kësaj të enjteje me reshje dëbore në Shishtavec dhe Malin e Gjalicës. Përveç reshjeve të dëborës, në zonat malore ka pasur edhe prezencë të mjegullës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe verilindjen e vendit, konkretisht zonat malore të Kalasë së Dodës dhe Lurën.
Si pasojë e reshjeve, nuk janë shkaktuar probleme me qarkullimin rrugor, pasi ato kanë qenë të lehta, ndërsa temperaturat nuk kanë krijuar shtresa akulli në rrugë.
Edhe në zonat malore të Qarkut të Korçës ka pasur reshje dëbore. Mali i Gramozit në Kolonjë, fshatrat Panarit, Shtyllë, Dardhë dhe Voskopojë, në Korçë si dhe Mokra në Pogradec janë mbuluar nga flokët e dëborës.
Autoriteti Rrugor nuk raporton rrugë problematike për shkak të dëborës, ndërsa në aksin Shtyllë-Panarit lëvizja ka qenë e vështirë për shkak të prezencës së mjegullës.
Reshjet e dëborës në këto zona janë një fenomen i zakonshëm për periudhën ku ndodhemi, ndërsa paralajmëron autoritetet në marrjen e masave për të shmangur bllokimin e zonave të caktuara.
Gazeta Dita