TROKET DIMRI:  – Po vijnë rrymat e ftohta nga veriu i Europës, priten temperatura të ulëta dhe rrebeshe shiu, të enjten parashikohet të bjerë borë.

10 tetor 2021

Java e ardhshme do sjellë të ftohtin e parë “serioz” për këtë vit në Shqipëri. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka bërë me dije se në të gjithë vendin do të ketë rebeshe shiu të herëpashershme. E hëna dhe e enjtja do të shoqërohen me furtunë.

Sipas SHMU, në Mesdhe shihet tendenca e ardhjes së rrymave më të ftohta nga veriu i Europës.

Të enjten parashikohen reshje dëbore në veri e verilindje të vendit që përkojnë më dëborën e parë të këtij sezoni. Dëbora do të prekë vendet me lartësi deri në 900 metra.

Era e fortë është gjithashtu një tipar i motit që do të pushtojnë vendin tonë këtë javë. Në brigjet detare, ajo do të jetë e fortë kryesisht ditën e enjte duke sjellë dhe shtim të dallgëzimit deri 5 në ballë.

Temperaturat pritet të jenë mjaft të ulëta dhe do të zbresin deri në dy gradë.

Një meteorolog gjerman në “Focus.de”, parashikon madje që reshjet e shiut të kapin shifra rekord.

“Përmbytjet kërcënojnë Mesdheun me shi ekstrem në Greqi dhe Shqipëri në javën e ardhshme”, tha ai.

Reshjet kryesore parashikohen në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore në zonën e bregdetit.

“Ajri i ftohtë mbi detin shumë të ngrohtë do të thotë menjëherë stuhi të forta. Kjo është arsyeja pse bëhet fjalë për këtë shi ekstrem. Dhe sa më i ngrohtë deti, aq më shumë shi ka. Mesdheu perëndimor është ende shumë i ngrohtë, 24 deri në 27 gradë. E gjithë kjo shkakton këtë katastrofë.

Por jo vetëm Shqipëria dhe Greqia preken nga shiu. Bregdeti italian i Adriatikut, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe pjesë të Rumanisë gjithashtu do të kenë shi të fortë. Në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore ekziston një rrezik akut”, deklaroi ai.

Gazeta Dita