Tronditet mazhoranca, një nga ministrat e rëndësishëm të qeverisë fundoset
21 Dhjetor 2024
Elmas Bogdani
Mazhoranca pritet të tronditet nga drejtësia, pasi pritet shpërthimi i një skandali të madh që përfshin një nga ministrat kyç të qeverisjes. Burime të sigurta bëjnë me dije se zbërthimi i telefonave të disa prej vartësve të një nga ministrave më të rëndësishëm të Edi Ramës ka nxjerrë në pah afera që kapin vlera marramendëse prej qindra milionë eurosh. Mësohet se zbërthimi i komunikimeve telefonike ka nxjerrë në pah skema të fshehta përfitimesh, ku ministri i dyshuar me ulërima dhe fyerje u ka dhënë urdhra direkt drejtorët e tij për të ndërruar celularët me qëllim shmangien e hetimeve nga Strukturat e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Këto veprime janë bërë me synimin për të penguar zbulimin e provave të rëndësishme që implikojnë drejtpërdrejt zyrtarin e lartë. Ka përgjime që implikojnë ministrin dhe gazeta “SOT” do t’i publikojë në ditët në vijim.
Skemat dhe paralajmërimi i Dumanit
Dokumentet e siguruara nga hetuesit tregojnë se ministri ka bashkëpunuar me disa drejtorë të institucioneve publike që ka në varësi, duke krijuar një rrjet të strukturuar ku jepeshin udhëzime për manipulimin e tenderave dhe projekteve publike, ku shuma të konsiderueshme parash dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga palë të treta. Mësohet se dosja po “qepet” mirë dhe shumë shpejt pritet të komunikojnë zyrtarisht akuzat ndaj ministrit. Burimet tregojnë se hetimet po intensifikohen dhe se mund të përshijnë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisjes, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në skemat e korrupsionit.
Kujtomë se në pesë-vjetorin e SPAK, kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, e ka bërë të qartë se për drejtësinë, nuk ka kah për t’u rreshtuar dhe aq më pak të paprekshëm. Presioni politik për këtë dosje është shumë i fortë, por Prokuroria e Posaçme nuk do të tërhiqet. Siç e pranoi vetë Dumani, ndër vite, prokurorët janë përballur me sulme dhe me përpjekje për të minuar punën e tyre. Ai madje përcaktoi se edhe familjarët e tyre janë kërcënuar, por kjo nuk i ka ndalur në përkushtimin ndaj punës. “Në fillim ishim vetëm 8 prokurorë. E nisëm me një dosje voluminoze të mbartura nga krimet e rënda dhe atë të transferuara nga prokuroritë e rretheve.
Në mungesë të plotë të Byrosë kombëtare të hetimit, po për të kontribuar në ngritjen e këtij institucioni të ri. U hasën vështirësi nga më të ndryshme, qoftë në ngritje e institucioneve nga ana formale, por edhe infrastrukturore. U desh të krijohej një fizionomi dhe mendësi që do i përshtatej filozofisë së re të reformës në drejtësi. Sot vijojnë po të njëjtat, por kjo është pjesa jonë personale. Një pjesë aspak e vogël, që ne 20 prokurorët e SPAK, 60 hetuesit e BKH e të tjerë, ne i kemi pranuar. Sollëm ndëshkueshmëri në nivele të larta të shtetit”, u shpreh ai dy ditë më parë.
Të gjithë para drejtësisë
Paralajmërimi i Dumanit dhe dosjet e nxehta që po hetohen, duke përfshirë dhe këtë ministër shumë të rëndësishëm tregon se SPAK nuk do të kursejë askënd. Lista e gjatë e politikanëve dhe zyrtarëve të çdo niveli, të cilët kanë kaluar pragun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është e gjatë: nga ish-presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha, deri te hetimet e fundit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Me ardhjen e tij në krye të SPAK në dhjetor të vitit 2022, Altin Dumani hapi me dhjetëra dosje, hetime dhe urdhëroi paraqitjen dhe arrestimin e dhjetëra kryebashkiakëve, thuajse të gjithë socialistë. Kjo hedh poshtë edhe tezën e opozitës se SPAK po bën goditje politike dhe po arreston liderët opozitarë.
Gazeta Sot