Trump ‘kokë më kokë’ me Hotin dhe Vuçiç, nënshkruhet sot dokumenti i rëndësishëm

E PREMTE 4 SHTATOR 2020

Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump do takohet sot me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentin e Serbisë.

Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet dhe nëse bëhet fjalë për një marrëveshje dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.

Gjatë javës ishte folur për mundësinë e takimit të Trump me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk kishte pasur një konfirmim deri mbrëmjen e së enjtes, shkruan VOA.

Pas ditës së parë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se gjatë takimit, ishin paraqitur projekt-propozime që përfshinin njohjen e ndërsjellë dhe se ai e kishte refuzuar një gjë të tillë, ndërkohë që kryeministri Avdullah Hoti nuk u përgjigj nëse një gjë e tillë ishte propozuar por tha se: “marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të papranueshme për Kosovën, asnjëherë nuk ka ardh dhe nuk do të vijë nga Shtëpia e Bardhë”.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, mohoi të jetë shtruar në tryezën e bisedimeve çështja e njohjes së ndërsjellë, pasi një gjë të tillë e tha fillimisht për mediat, Ministri serb i Financave, Sinisa Mali.

Pala serbe tha se kërkesa për njohjen e ndërsjellë ishte shtruar si një nga pikat e diskutimeve të ndërmjetësuara nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet ndërmjet të dyja vendeve.

“Ai dokument ishte shumë i rëndë, kishte 15 apo 16 pika dhe një prej tyre ishte për njohjen e ndërsjellë. Unë e refuzova. Nuk është asgjë e re sepse kjo është politika amerikane, vetëm se ne thamë që ajo pikë nuk duhet të jetë në dokumentin për stabilizimin ekonomik. Nga kabineti i Trumpit u treguan “të drejtë” dhe na dëgjuan. Në dokumentet tjera kjo pikë nuk është më”, tha presidenti serb.

Gazeta Shqip