![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2025/02/640-0-dgjfgjfgjfjfgjgfj-1738760468.jpg?fit=640%2C381&ssl=1)
Trump: – SHBA do të marrë Gazan. – Palestinezët të zhvendosen në vende të tjera
5 Maji 2025
Nga OraNews.
Donald Trump shpalli një plan tronditës, sipas të cilit SHBA do të marrë kontrollin e Rripit të Gazas, ndërsa banorët palestinezë duhet të zhvendosen në vende të tjera.
Propozimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë, i mbështetur nga kryeministri izraelit Netanyahu, u kundërshtua ashpër nga Hamasi, si një ndryshim drastik i politikës amerikane ndaj konfliktit izraelito-palestinez.
Presidenti Donald Trump tha se SHBA mund të marrë nën kontroll Rripin e Gazës duke e cuar më tej idene e shprehur me herët për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve në vendet fqinje.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, e zbuloi këtë plan të cilësuar tronditës, pa dhënë detaje të veçanta, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të merrnin përgjegjësinë e rindërtimit dhe stabilizimit të Rripit të Gazës duke e shndërruar nga një “një zonë të shkatërruar” sic e quajti, në një Riverë në Lindjen e Mesme.
“SHBA-ja do të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe do të bëjmë një punë të mirë me të.
Do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të pashpërthyera dhe armëve të tjera të rrezikshme që ndodhen aty.”
“Ne do ta zhvillojmë atë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune, dhe do të jetë diçka për të cilën i gjithë Lindja e Mesme do të ndihet krenare,”.
“E shoh një angazhim afatgjatë dhe mendoj se do të sjellë stabilitet të madh në atë pjesë të Lindjes së Mesme.”, tha Tump.
I pyetur se kush do të jetonte atje, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha shkurt se mund të bëhej një shtëpi për “njerëzit e botës.”
Trump nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë se si dhe me çfarë autoriteti SHBA mund të marrë nën kontroll dhe të pushtojë Gazën, por ideja rrëzon angazhimin dhjetëra vjeçare politik të Shteteve të Bashkuara ndaj konfliktit izraelito-palestinez.
Ndërhyrja e SHBA-së do të ishte në kundërshtim edhe me politikën e shumicës së
bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka mbajtur qëndrimin se Gaza do të ishte pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez që përfshin edhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Netanyahu, të cilin Trump e quajti disa herë me nofkën e tij, “Bibi,” nuk pranoi të hynte në detaje mbi këtë propozim, përveçse për të lavdëruar republikanin për përpjekjen e tij për një qasje të re.
Lideri izraelit tha se Trump po “mendon jashtë kutisë me ide të freskëta” dhe po “tregon gatishmëri për të sfiduar mendimin tradicional”
Armëpushimi i brishtë në Gaza, strategjia kundër Iranit dhe shpresat për një marrëveshje mes Izraelit dhe Arabisë Saudite ishin temat kryesore të takimit të Trump me Netanjahun, i pari për presidentin e SHBA me një udhëheqës të huaj pas marrjes së detyrës.
Krah Netanahut në zyrën Ovale, Trump sugjeroi që palestinezët të largoheshin përgjithmonë nga Gaza “në shtëpi të bukura dhe ku mund të jenë të lumtur, nuk do të pushkatoheshin apo vriteshin”.
Hamasi reagoi duke i cilësuar dëbim nga toka e tyre thirrjet e Trump që palestinezët të largohen, ndërsa aktivistët e krahasuan propozimin me Spastrim Etnik.
Propozimi i Trump për Gazan vjen në një kohë kur kreu i Shtëpisë së Bardhë ka folur për marrje nën kontroll të Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, ndërsa thotë se Kanadaja duhet të bëhej shteti i 51-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës