
Tuma e Patosit, varri prehistorik i lënë në mëshirë të fatit, historiani: – Ka vlera të mëdha
31 Mars 2025
Një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike në Mallakastër, Tuma e Patosit, është drejt degradimit total. Vendzbulimi arkeologjik po shkatërrohet pasi as pushteti lokal dhe as institucionet e kulturës në Fier, nuk kanë mirëmbajtur këtë objekt me vlera të rralla arkeologjike.
Gjurmët e varrit monumental ilir të njohur ndryshe edhe si Tuma e Patosit , ende pas gjysëm shekulli nga zbulimi dhe gërmimi i saj , ironikisht mund të thuash që vijojnë të jenë të dukshme, pasi siç shihet nga pamjet ato janë mbuluar nga shkurret.
Është e vështirë t`i dallosh me sy të lirë e ku gjenden këto tuma, pasi mungojnë edhe tabelat orientuese dhe informuese.
E ndërtuar prej dheu varreza ilire ndodhet në një prej kodrave të fshatit Rërëz, dy kilometra larg Patosit. Gërmimet e kryera nën drejtimin e arkeologut Myzafer Korkuti, në vitin 1976 zbuluan 76 varre, nga të cilat 62 i përkisnin periudhës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm ( shek XIII- IX p. e. sonë) , ndërsa 14 varre të tjerë i përkisnin kohës kur ajo u ripërdor si vend varrimi gjatë shekujve të antikitetit dhe periudhës së mesjetës së hershme.
Historiani Ilirjan Gjika pohon se inventari i pasur i objekteve të gjetura në Tumë si enë balte, objekte zbukurimi, apo armët prej bronzi dhe hekuri , dëshmojnë nivelin e lartë që arriti kultura ilire në këtë zonë.
Gërmimet zbuluan gjithashtu edhe një vend rituali në qëndër të Tumës nga vatra e së cilës ishte marrë zjarri për djegien e kufomave.