Turistët në Theth të mahnitur nga natyra. Pronari i Bujtinës: – Problem energjia elektrike, çdo darkë ikin dritat
Pak ditë më parë, Organizata Botërore e Turizmit publikoi shifrat e rritjes së numrit të turistëve në Shqipëri që vihej re një rritje prej 54% krahasuar me periudhën para pandemisë, duke zënë kështu vendin e parë në Evropë për rritjen më të madhe.
Sot një grup turistësh holandezë dhe amerikanë gjatë një lidhje të drejtëpërdrejtë nga Thethi për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV kanë vlerësuar me notën ‘10’ Shqipërinë sa i takon asaj çfarë ofron për turistët nga vende të ndryshme. Ata thanë se do ta rekomandonin për të gjithë miqtë e tyre.
Por nga ana tjetër, Polia, pronari i Bujtinës ku turistët po qëndronin solli në vëmendje një problematikë tjetër që sipas tij është mungesa e energjisë elektrike në këtë zonë. Ai tha se pavarësisht se energjia elektrike e prodhuar nga HEC-i në Theth siç duket nuk mjafton dhe çdo darkë fiken dritat.“ Ne e themi me batutë, nëse s’keni probleme në Shqipëri mbase nuk jeni më në Shqipëri. Problemet me energjinë. Vijojmë të kemi probleme me energjinë, kemi pasur premtime se do rregullohet por siç dihet tashmë ka neglizhencë. Ne kemi një HEC këtu në zonë dhe sic duket energjia që prodhon nuk mjafton. Çdo kohë darke fiken dritat. Kjo realisht neve na kushton shumë probleme”- u shpreh pronari i bujtinës
Sa i takon rezervimeve, ai tha se situata është mjaft e mirë dhe se ka një numër gjithnjë e në rritje të turistëve të huaj.
Edhe në Sarandë operatorët turistikë janë optimistë se kjo verë do të jetë tepër e mirë për ta.“Rezervimet janë në situatën më të mirë të mundshme për këtë periudhë. Duket se për periudhën qershor ka një rritje të konsiderueshme, korriku gushti nuk diskutohet. Ka premisa që edhe muaji shtator të tjetë një nga muajt që do të konkurojë dhe korrikun e gushtin”- u shpreh Arben Çipa kryetar i shoqatës së turizmit në Sarandë.
Gazeta Shqiptarja.com