“Turizmi mban në këmbë ekonominë”, BSH: – Ngec sektori i ndërtimit, më pak porosi për apartamente
1 Nentor 2024
Zgjatja e sezonit turistik po mban në këmbë besimin në ekonomi edhe gjatë vjeshtës. Banka e Shqipërisë thotë se besimi në ekonomi në tetor u rrit lehtë me 0.4%, i ndikuar kryesisht nga pozitivitet në sektorin e shërbimeve. Në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit konsumator dhe e sektorit të tregtisë. “Nga ana tjetër, treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe në atë të ndërtimit shënuan rënie në krahasim me një muaj më parë”, thuhet në vrojtim
Besimi në sektorin e shërbimeve është rritur me 4% në muajin që lamë pas si rezultat i ecurisë pozitive të aktivitetit si dhe kërkesa në rritje për shërbime, duke sinjalizuar shtim të turistëve edhe në këtë periudhë. Sa i takon çmimeve ky sektor thotë se do të ulen, raporton “Report Tv”.
Përmirësim të lehtë me 0.2% ka regjistruar edhe besimi i konsumatorëve, pasi janë më optimist për situatën ekonomike, thonë se do të bëjnë blerje në shuma të mëdha dhe presin reduktim të mëtejshëm të papunësisë. Kurse tregtia e cila është goditur edhe nga zhvlerësimi i valutave është vetëm 0.1% më optimiste e ndikuar kryesisht nga vlerësime më të mira për ecurinë e biznesit aktual.
Në anën e kundërt, besimi është tkurrur ndjeshëm tek sektori i ndërtimit. Ata janë 3.3% më pak optimistë si rezultat i ngadalësimit të aktivitetit të tyre dhe rënies së porosive. Në rënie në këtë sektor raportohen edhe çmimet.
Po për të njëjtat shkaqet është ulur me 2.5% besimi në ekonomi edhe nga industria, pasi vlerësojnë se është ulur prodhimi, ka më pak kontrata të reja e çmime më të lira. Situatë që sipas tyre do të vijojë edhe për muajit e ardhshëm.
i.b./dita