TURP HISTORIK

Nga: Anton Pllumaj

Tuz, me 7 fruer 1945

Kjo javë kje tragjike për krahinën tonë dhe dangë turpit shumë e zezë edhe e pashlyeshme për komunista të Shqipnisë, për çka kanë mërrijtë me pranue me ba kundër popullit e atdheut.

Gjin Marku e kishte përhapë lajmin anekand ndër malet tona, qi të gjithë burrat e Malsisës së Madhe, qysh në Han të Hotit e këndej, të bashkohen në Tuz. Do t’u diftohet nji gja shumë me randësi për ket krahinë shqiptare. Dita e zezë e kësaj mbledhje erdhi. Bashkimi kobzi u ba në fushë, ndërmjet kishës së Tuzit e kazermës së rrënueme t’ish ushtrisë turke. Në tribunë të stolisun me flamuj të kuq e me fotografina të trilluesave dhe të prisave të komunizmit, zunë vend autoritetet civile e ushtarake të Malit të Zi edhe autoritetet ushtarake të Tiranës, të nënshtrueme Beogradit.

Të parët përfaqësojshin, me mend e me dinjitet Jugosllavinë mozaike të shovinistave serbo-malazez, ndërsa të dytët përfaqësojshin vetëm mjekrën e Marksit, me dhunime shnjerzore dhe me krime të pashembulla në histori. Mbledhjen e hapi, si zot shtëpie në shtëpi të huej, Gjeneral Gjokë Mirashoviqi, tue thanë, me fjalët e para, se nuk asht nevoja e perkthimeve të fjalimeve në shqip, mbasi, simbas tij, të gjithë shqiptarët e kësaj anë e kuptojnë krejtësisht mirë serbishten. Kundërshtimet tona, për me i përkthye fjalimet shqip, shkuen kot. Çdo gja për ket bashkim ishte organizue e vu për fije në përshtatje jugosllave dhe krejt kundër interesave jetike të kombit shqiptar. Mbas Gjokës folën edhe Millosh Rashoviqi e Vasi Popoviq. Të tre vulosën me demagogji marksiste mandatin se kjo krahinë shqiptare e Mbishkodrës ishte ba prap pjesë e pandashme e Jugosllavisë.

Tash fjalën e muer Gjeneral Shevqet Peçi. Krejt i shburrnuem, forcoi thaniet e shokëve malazez në dam të kombit të vet. Lajmoi cakun e kufinit dhunues në Han të Hotit edhe i urdhëroi malsorët me ua dorëzue armët, aty për aty, malazezëve!? Mandej u kthye tradhëtari faqezi e iu tha malazezëve:

– Merrni këta derra reakcionarë e bëni tërbjet se Shqipërisë nuk i duhen gjë prej gjëje. Qe dajakun t’i rrihni e litarin t’i varni po qe se nuk ju duan dhe nuk i vijojnë me ju, ndërtimin socialist?

Ndamja prej atdheut, qe shkrepje rrufeje rrenuese për burra të maleve tona kreshnike. Fjalët e Shevqet Peçit, pa kurrfarë majet njerzore, e zemruen shumë popullin. Pjetër Zeku Camaj bërtiti:  “T’i coptojmë të gjithë dhe të vdesim me nderë për liri e të drejta qi po duen me na i shkelun! ”

Burrat e urtë si Smail Çunmulaj, Kolë Zefi, Nikollë Gali, Ali Zeku, Prentash Zeka, Lucë Maxhi, Zenel Caku, Gjon Lucnikaj, Tomë Nika dhe Sherif Kërnaj e Nikë Zeka, e qetësuen popullin vëlaznisht mos me e mësye tribunën e atyne kriminelave, qi, n’emën të vëllaznimit marksist, shpallën robnimin e nji krahine liridashtëse. Kundërshtuen, me fakte edhe me baza të drejta njerëzore, ndamjen prej atdheut shqiptar. Age Gruda, ndër të tjera, tha se kjo tragjedi s’ka motër as shoqe në histori marksiste as fashiste. Kolë Zefi me za të naltë, i tha Shevqet Peçit:

– Shkop e litar merri me vehte dhe përdori ku je mësue! Ndeshjet tona me malazez, dijmë na e dijnë ata, si i bajmë. E mjera Shqipni me ju, edhe të mjerët na për të, qi e kryesueki ju, edhe po na lëshoni sot prap në robni të Shkjaut, qi nuk ngihet kurr me gjak të shqiptarëve!…

Brigadat shqiptare dhe malazeze dhanë sheje se jemi nga çdo anë të rrethuem, por burrat e maleve tona nuk i banë beft aspak…

Vendimi ishte dhanë nga jugosllavët dhe ashtu mbeti për kobin kombëtar dhe për turpin e përjetshëm të komunistave të Shqipnisë. Gjendja u keqësue shumë. Nji pushkë me krisë ishim gati për luftë të dy palët. Të gjithë malësorët ishim t’armatosun mirë deri në dhambë dhe të vendosun me vdekë trimnisht për të drejtat tona. Partizanët muerën pozicione të reja largas…. Zemrimi në Shevqet Peçin me shokë të tij shqiptarë, kaloi çdo kufi. Ndërkaq, Muzafer Spaho, i prekun shpirtnisht nga kjo tragjedi kombëtare, u çue e tha:

– Vëllazën shqiptarë, po e shoh se jeni burra të mirë e atdhetarë të vërtetë. Na kemi luftue kundër fashizmit e rendit të tij, porse jo kurr për me çue në vend kufijt e padrejt të Versajës, e cila na e pati rrëmbye gjysmën e Shqipnisë për me plotësue intrigat imperialiste dhe…

Çka deshti me thanë ma gjatë Muzaferi nuk dihet sepse Peçi e shtyni e nuk e la me folë ma tutje dhe nisi me folë ai vetë. Populli u revoltue shumë qi s’e la Komisarin e Divizionit me e vijue fjalimin. Nga zhurma kundër Shevqetit, qi deshti populli me coptue, nuk u muer vesh çka tha Peçi. Në ket gjendje të trishtueshme duelë në shesh Pater Zef-Leonard Tagaj:

– Ju malazezëve ju lumtë se jeni atdhetarë e të squet, por si i paski shburrnue e shkombtarizue kaq për mnerë kuqanat shqiptarë? Armët kemi me ua dorëzue ju nji herë tjetër, mbasi po e shohim se ramë prap në kthetra tueja.

E ju, o të mallkuemit e Shqipnisë! Si nuk paski mendue paksa për histori tuej të zezë? Mjerë Shqipnia në duer tueja dhe medet për ne, për ju!?

E ju burra, luaj në kafas, të Malsisë së Madhe, detyrën tuej e keni krye, si gjithmonë të parët tuej. Zoti qoftë me ne! Atdheu shqiptar rrnoftë pa këta qi tradhëtuen kaq me turp për ta. Ju, vëllazën të mi shqiptarë, po ju thomë të gjithëve kështu si jemi t’armatosun të nisemi njitash për shtëpia tona.

Të gjithë njiherit u larguem prej atij sheshi në drejtimet tona të ndryshme, shumë të zemruem në komunista shqiptarë të çoroditun…

Prenk Gruda ”Ditari i nji zemrës së lendueme” 1937-1975, vellimi II, fq.435-437.

PS: Në fotografi; Patër Zef-Leonard Tagaj me malësorë në Tuz.

Patër Zefin me disa malësorë, i pushkatojnë komunistat jugosllavë, 12 ditë më vonë!