“Turpërim”, thotë gazeta kosovare për intervistën e ministres në TV. –
“Turpërim”, thotë gazeta kosovare për intervistën e ministres në TV. –
25 janar 2019
Gazeta kosovare Expres ka analizuar daljen e kësaj të premteje mbrëma të ministres së Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini.
Sipas kësaj gazete, “për Besa Shahnin, intervista e parë në një emision të madh shqiptar, ka shkuar në mënyrën më të keqe të mundshme”.
“Prezantimin e parë në një emision të madh në Shqipëria, ministrja e re e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini, nga Prishtina, nuk mund ta mendonte se do ti shkonte kaq keq sa shkoi. Besa, e cila më gjasë ishte mashtruar nga fakti që Edi Rama kishte kaluar mirë me Arian Çanin, kishte vendosur që t’i shkonte në dorë gazetarit më provokator në Shqipëri” – shkruan Expres.
Më poshtë, pjesë nga raportimi i tyre, postuar këtë të premte në darkë:
“E gjithë intervista, e cila zgjati rreth 1 orë, kaloi në formën më të sikletshme të mundshme. Besa, siç e tha gjatë emisionit, ishte përgatitur që të shkonte të fliste për reformat në arsim, mirëpo Çani e kishte vënë në një kurth. Pyetjet ishin krejtësisht rreth lidhjeve të saja, rreth atyre që kë ajo njeh në Shqipëri e kë nuk e njeh, nëse e njihte Baton Haxhiun apo nuk e njihte.
Duke i ditur akuzat e Rexhep Selimit, i cili i kishte thënë se Besa ishte mbesa e një ish zyrtari të lartë të UDB-së, Çani e shpenzoi një pjesë të bisedës duke e pyetur Besën për serbët, për serbishtën. Këto ishin momente kur ministrja e re e Arsimit ishte jashtëzakonisht e tensionuar dhe e pyeste Çanin se përse po i bënte këto pyetje që nuk kishin lidhje me arsimin.
Kur po mendohej që nuk kishte se si të shkonte më keq një interviste, Çani e kishte ruajtur qershinë për në fund. Ai ia bëri një test bizar Besës, duke ia vënë përpara disa fotografi të ministrave të arsimit të Evropës, dhe e pyeste nëse e dinte që nga cili shtet ishin ata. Këto ishin çaste shumë të rënda për Besën, posaçërisht kur ajo nuk e njihte as Ministrin e Arsimit të Gjermanisë.
Nëse në ndonjë rast ajo e qëllonte dikë, nisur nga mbiemri, atëherë Çani e përgëzonte për suksesin e treguar ashtu siç përgëzohet një nxënës i shkollës fillore. Besa vendosi ta ndërpriste këtë kuic dhe këtë intervistë, derisa Arian Çani i thoshte që nuk kishte pse të dorëzohej kaq shumë, sepse nuk po dilte kaq keq. Një turpërim të tillë nuk e ka pësuar asnjëherë, asnjë ministër i Shqipërisë, në asnjë intervistë televizive” – shkruan Express.
k.a. / dita