“Turqia i shet dronë Bayraktar Kosovës”/ Vuçiçin e kap frika: – Nuk u intereson për të drejtën ndërkombëtare, ecin me ligjin e më të fortëve
26 Qershor 2023
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e ka pritur mirë faktin që sipas tij, Turqia i ka shitur Kosovës disa dronë “Bayraktarë”.
Sipas mediave të Kosovës, Vuçiç ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) po furnizohen nga Turqia me armë të fuqishme.
“Turqit u kanë dhënë mjete të blinduara shumë të fuqishme, mortaja, bajraktarë, obusa, këto janë të gjitha që i ka FSK-ja. Ato armë kanë optikë termike, me rreze të gjatë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të kemi mjete mbrojtëse nëse populli ynë kërcënohet”, ka deklaruar Vuçiç.
Ai shtoi gjithashtu se FSK ekziston falë mbështetjes së ndërkombëtarëve, gjë që sipas tij është e gabuar, pasi edhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur nuk është legjitime.
“FSK-ja nuk duhet të ekzistojë, por atyre, Perëndimit dhe Turqisë, nuk u intereson shumë. Nuk u intereson për të drejtën ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare janë ata, ky është ligji i më të fortëve. Prishtina po krijon ushtrinë e saj. Ata thënë se Kosova është e pavarur, sepse të gjithë e kanë njohur, me të drejtën e më të fortit, të nxjerrë nga agresioni ilegal kundër RFJ-së”, ka deklaruar Vuçiç më tej.
Gazeta Sot