Turqia ka kthyer në xhami një tjetër kishë të dikurshme
7 Maji 2024
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan hapi zyrtarisht ish Kishën Bizantine Hora në Stamboll si xhami, katër vjet pasi qeveria e tij e shpalli atë një vend kulti mysliman, pavarësisht kritikave nga Greqia fqinje.
Erdogan kryesoi ceremoninë e hapjes së Xhamisë Hora, online, nga salla e konferencave të pallatit të tij në Ankara.
Kisha e Shpëtimtarit të Shenjtë në Hora, e njohur edhe si Karije, u shpall xhami në vitin 2020, jo shumë kohë pasi e njëjta ndodhi me Hagia Sophia, e cila më parë ishte kishë, xhami, më pas muze dhe në fund përsëri xhami.
Të dy aktet e shndërrimit të kishave në xhami shkaktuan polemika të mëdha në botë dhe në vetë Greqinë, e cila i kërkoi qeverisë turke të mbronte monumente të rëndësishme bizantine.
Kisha në Hora, si Hagia Sophia, ishte një muze para se të shndërrohej në xhami dhe shndërrimi i saj zyrtar në një shtëpi lutjeje myslimane vonohej vazhdimisht, pasi ndërtesa iu nënshtrua restaurimit.
Kisha, e vendosur pranë mureve të qytetit antik të Kostandinopojës bizantine, është e famshme për mozaikët dhe afresket e saj. Ajo daton në shekullin e katërt, megjithëse ndërtesa mori formën e saj aktuale në shekujt XI-XII.
Pas rënies së Kostandinopojës nën sundimin turk në 1453, ajo shërbeu si xhami, derisa u kthye në muze në vitin 1945.