Turqia kerkon e vendosur t’i marrë artefaktet trojane
20 Shtator 2023
Zeynep Boz, drejtoreshë në Ministrinë e Kulturës dhe të Turizmit në Turqi deklaron:
– Ashtu siç arritëm më 2012 të siguronim kthimin nga SHBA-ja të një grupi artefaktesh me origjinë nga Troja, besojmë se në të njëjtën mënyrë do të sigurojmë kthimin e artefakteve tona nga Rusia, Britania e Madhe dhe Gjermania.
E vendosur në veriperëndim të Turqisë, qyteti antik i Trojës u ka dhënë jo pak thesare arkeologëve të cilët zbardhën sekretet e tij. Shumë nga këto artefakte u kontrabanduan jashtë vendit dhe Ankaraja aktualisht po punon për t’i kthyer këto objekte të trashëgimisë historike, raportojnë mediat turke.
Zeynep Boz, e cila drejton Departamentin Kundër Kontrabandës në Ministrinë e Kulturës dhe të Turizmit në Turqi, ka thënë se zyrtarët po punojnë tash e sa kohë për riatdhesimin e thesarit, të vendosur për ta kryer detyrën pavarësisht hezitimit të shumë vendeve që kryejnë kërkime historike mbi artefaktet trojane.
Duke folur në festivalin “Troy Cultural Road” në Çanakala, ku ndodhen rrënojat e qytetit antik, ajo ka thënë se negociatat midis qeverive për kthimin e artefakteve kërkojnë kohë.
“Ashtu siç arritëm më 2012 të siguronim kthimin nga SHBA-ja të një grupi artefaktesh me origjinë nga Troja, besojmë se në të njëjtën mënyrë do të sigurojmë kthimin e artefakteve tona nga Rusia, Britania e Madhe dhe Gjermania”, citohet të ketë thënë Boz.
Njëkohësisht, autoritetet po punojnë për të shtuar masat kundër kontrabandimit të artefakteve jashtë vendit.
“Jemi të përfshirë në aktivitete të ndryshme që synojnë ndërgjegjësimin e njerëzve tanë dhe nxitjen e ndjenjës së pronësisë ndaj trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Boz.
Pos çështjes së trashëgimisë kulturore, problem paraqet edhe ekzistenca e tregut ilegal të artefakteve. Ka theksuar se kontrabandimi i tyre përdoret për financimin e terrorizimit dhe krimit të organizuar.
Boz ka thënë se gati 4 mijë artefakte u kthyen në Turqi vetëm në vitin 2023, që është një total prej më shumë se 12 mijë në dy dekadat e fundit.
“Besojmë se në të ardhmen e afërt do të sigurojmë kthimin e disa artefakteve me vlerë”, ka thënë Boz.