U ekspozuan në Kongresin meksikan si “mumje aliene”, por ja çfarë janë në të vërtetë!
15 Shtator 2023
Duken si alienë dhe ashtu u prezantuan në një Kongres në Meksikë dy ditë më parë, por ato ishin thjesht mumje Nazca nga Peruja, shkruan Wired. Në fund të një seance dëgjimore publike në Dhomën e Gjelbër të Kongresit të Meksikës, Jaime Maussan, ufolog, gazetar dhe drejtues i programit televiziv meksikan Tercer Milenio, i surprizoi të gjithë.
Trupat e dy qenieve të supozuara ‘jo-njerëzore’ u raportuan se ishin mbetjet e fosilizuara 1000-vjeçare të individëve jashtëtokësorë.
Para se të fillonte seanca, Sergio Gutiérrez Luna, deputeti i Morenës, partisë qeverisëse të Meksikës u kërkoi pjesëmarrësve të ngriheshin dhe të betoheshin se do të tregonin të vërtetën. Midis audiencës ishin Ryan Graves, një toger pilot në pension i marinës amerikane, i cili kishte dëshmuar më parë në Kongresin e SHBA në lidhje me përvojën e tij me objekte të paidentifikuara, dhe Abraham “Avi” Loeb, një astrofizikan, drejtor i Departamentit të Astronomisë së Harvardit dhe përkrahës kryesor i një teorie se një anije kozmike aliene tashmë është ulur në Tokë. Kur ishte radha e Maussanit për të folur, ai dha një sinjal për të hapur dy sarkofagë të vegjël që përmbanin trupat e dy “qenieve jo njerëzore”.
Por këto nuk janë qenie jo njerëzore. Ato janë mumjet Nazca, konkretisht “mumiet humanoide të Nazca-s tridaktyl”, të paraqitura dikur si një zbulim i madh arkeologjik, por që prej kohësh janë diskredituar gjerësisht nga komuniteti shkencor ndërkombëtar. Dyshohet se këto mumie janë manipuluar për t’u dhënë atyre një pamje tjetër dhe autenticiteti i tyre është hedhur poshtë nga organizata të rëndësishme si Komiteti Botëror për Studimet e Mumjeve, i cili e ka cilësuar zbulimin si një mashtrim, duke e quajtur atë “një fushatë të organizuar të papërgjegjshme me dezinformata.”
Pasuria arkeologjike e Perusë njihet në mbarë botën, me vende që variojnë nga qytetërimi i lashtë Caral deri tek ato të Inkasve, duke përfshirë legjendarin Machu Picchu. Por mumiet e paraqitura në Kongresin e Meksikës nuk janë gjë tjetër veçse falsifikime të përpunuara. Mendimi i akademikëve, arkeologëve dhe shkencëtarëve është unanim: një pjesë e këtyre mumieve janë trupa njerëzorë të modifikuar parahispanikë, ndërsa pjesa tjetër, veçanërisht ato më të voglat – si ato të paraqitura këtë javë në Kongresin Meksikan – janë trupa të mbledhur me kafshë dhe njerëz.
“Me përvojën që kanë të gjithë studiuesit që kanë punuar me mumiet parakolumbiane, veçanërisht nga zona e Nazca-s, është shumë e qartë për ne që këto mumie, ato të mëdhatë, janë qenie njerëzore parakolumbiane që janë modifikuar për tregti dhe ‘mumiet e vogla’ të supozuara janë struktura që janë bashkuar”, tha për gazetën El Comercio antropologu fizik Guido Lombardi, i cili ka studiuar mumiet në Peru.
Flavio Estrada, një arkeolog mjekoligjor që analizoi mumjet për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Ministrisë Publike në Peru, ka thënë se mbetjet e alienëve të dyshuar “janë krijime të bëra nga kockat e kafshëve dhe njerëzve të mbajtur së bashku me ngjitës sintetik”, të cilat, nga ana tjetër, janë mbuluar me një lëkurë të rreme.
Sipas Maussan, trupat e tharë u gjetën në Peru në vitin 2017.
Nuk është hera e parë që ufologu Maussan ka paraqitur prova të supozuara të jetës aliene. Në vitin 2017 analiza e kryera nga ai në një mumieje të gjetur në Peru pranë Linjave Nazca, raportoi se trupi ishte i një alieni me tre gishta, por teoria më vonë u hodh poshtë dhe kufoma u zbulua se ishte e një fëmije.