U kafshua nga qentë, humb jetën 61-vjeçarja në Berat (Emri).
U kafshua nga qentë, humb jetën 61-vjeçarja në Berat (Emri).
07 Shkurt, 2019
Një grua ka humbur jetën pasditen e sotme në një fshat të rrethit të Beratit. Dyshimet e para flasin për një hemorragji të theksuar dhe disa dëmtime të marra në kokë në kohën që ka rënë përtokë, pasi është sulmuar nga një tufë qensh endacakë.
Selime Braushi, banore e fshatit Dyshnik humbi jetën pasditen e sotme në Spitalin e Beratit. Ajo ishte paraqitur me disa plagë në trup dhe në kokë, të cilave nuk i ka mbijetuar dot.
Burime të këtij spitali bëjnë me dije se gruaja është paraqitur rreth orës 16:30 të pasdites së sotme me disa kafshime të thella në gjymtyrët e poshtme dhe disa dëmtime të marra në kokë. Ajo është dërguar menjëherë në Repartin e Kirurgjisë për t’ju nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, por edhe pse ka marrë ndihmën e parë mjekësore gruaja ka ndërruar jetë.
Mjekët konfirmuan vdekjen e 61-vjeçares, ndërkohë që do të jetë autopsia mjekoligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes. Gruaja mësohet se ndodhej në arë duke punuar në kohën që është sulmuar nga qentë.
61-vjeçarja, sipas deklaratave që kanë dhënë të afërmit e saj në spital mësohet se ka qënë duke punuar tokat rreth pemëve të ullinjve në çastin që është sulmuar nga kafshët e braktisura, që e kanë kafshuar disa herë në trup.
Më pas gruaja mësohet se ka rënë në tokë dhe sërish qentë e kanë kafshuar disa herë duke i shkaktuar plagë të thella. Problematika e qenve endacakë është trajtuar disa herë, por nuk është marrë asnjë masë.
(n.m/BalkanWeb)