U nda nga jeta Sadri Fetiu, shkencëtar i gjurmëve të pashlyeshme në albanologji
U nda nga jeta Sadri Fetiu, shkencëtar i gjurmëve të pashlyeshme në albanologji
“Vdekja e prof. dr. Sadri Fetiut është humbje e madhe për familjen Fetiu, në rend të parë, për Institutin Albanologjik, të cilin e drejtoi në kohët më të vështira të ekzistencës së tij si institucion kërkimor-shkencor (1991-2007) dhe ku dha të gjithë kontributin e tij jetësor në fushë të albanologjisë, gjithashtu është humbje edhe për komunitetin shkencor, për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht”, shkruhet në njoftimin e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës
Si studiues, mësimdhënës e drejtues i Institutit Albanologjik të Kosovës, Fetiu ka dhënë kontribut të madh në shkencë e zhvillim të kuadrit shkencor. Vdekja e tij është bërë e ditur nga Dega e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ai ishte 79 vjeç. Sipas njoftimit të lëshuar nga Dega e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, profesor Sadri Fetiu u shqua ndër intelektualët më të dalluar e më parimorë të Kosovës dhe të botës shqiptare
Shkrimtari e studiuesi i disa disiplinave albanologjike, Sadri Fetiu, vdiq të hënën. Si studiues, mësimdhënës e drejtues i Institutit Albanologjik të Kosovës, Fetiu ka dhënë kontribut të madh në shkencë e zhvillim të kuadrit shkencor. Vdekja e tij është bërë e ditur nga Dega e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ai ishte 79 vjeç.
Vdekja e tij është parë si humbje e madhe për albanologjinë.
I lindur në fshatin Peçan të Suharekës më 7 shkurt të vitit 1942, ai shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Suharekë. Gjimnazin e përfundoi në Prizren dhe më 1965 diplomoi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë kohës sa ishte në studime kishte punuar si gazetar i kulturës dhe arsimit në Radio Prishtinë. Për 12 vjet me radhë, në vitet 1965-1977 ishte mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në qendrën shkollore teknike “19 Nëntori” të Prishtinës. Pas kryerjes së studimeve pasuniversitare (1972-1974), në vitin 1976 e mbrojti temën e magjistraturës.
Më 1977 u angazhua në fushën e studimeve të letërsisë popullore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Sipas biografisë së tij, krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në studimin e baladës popullore shqiptare. Disa nga studimet e tij janë botuar edhe në gjuhën frënge në revistat shkencore të Tiranës dhe në revistën “Recherches albanologique” të IAP-së.
Më 1987, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës e ka mbrojtur tezën e doktoratës “Poetika e baladës popullore shqiptare”.
Ka qenë anëtar shumëvjeçar i redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” – Seria folklor dhe etnologji, si dhe në redaksitë e botimeve të veçanta të botimeve të IAP-së. Është zgjedhur gjithashtu anëtar i redaksisë së botimit shkencor “Çështje të folklorit shqiptar” të Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Duke filluar nga viti 1991 ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit e më vonë për dy mandate radhazi është zgjedhur drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke kryer këtë detyrë për 16 vjet (1991–2007).
Midis të tjerash ka botuar edhe veprat “Romani shqiptar i luftës”, “Ninulla”, “Këngë dhe lojëra të fëmijëve”, “Poetika e baladës popullore shqiptare”, “Këngë kreshnike II”, “Rizah Bllaca – Këngë popullore, I dhe II”, “Vargje satirike”, “Balada popullore shqiptare – Aspekte krahasimtare”, “Udhëkryqet e Kosovës”, “Këngë popullore historike” në pesë vëllime, “Folkloristikë”, dhe “Aspekte të studimeve albanologjike”.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Dega e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, profesor Sadri Fetiu u shqua ndër intelektualët më të dalluar e më parimorë të Kosovës dhe të botës shqiptare përgjithësisht, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si shkencëtar, studiues i pothuajse të gjitha disiplinave albanologjike, folklorist, etnolog, historian dhe filolog, si mësimdhënës, shkrimtar, publicist, përkthyes dhe si veprimtar i lëvizjes kombëtare.
“Vdekja e prof. dr. Sadri Fetiut është humbje e madhe për familjen Fetiu, në rend të parë, për Institutin Albanologjik, të cilin e drejtoi në kohët më të vështira të ekzistencës së tij si institucion kërkimor- shkencor (1991-2007) dhe ku dha të gjithë kontributin e tij jetësor në fushë të albanologjisë, gjithashtu është humbje edhe për komunitetin shkencor, për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht”, shkruhet në njoftimin e Degës.
Sipas këtij njoftimi, për të nderuar jetën, veprën dhe veprimtarinë e gjithmbarshme profesionale dhe intelektuale, Instituti Albanologjik, në ambientet e tij, do të mbajë mbledhje komemorative të martën, në orën 11:00. “Me këtë rast Instituti Albanologjik u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, ish-nxënësve dhe ish-studentëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve të shumtë dhe të gjithë atyre që e kanë njohur prof. dr. Sadri Fetiun, që e kanë nderuar punën e tij si albanolog, si intelektual dhe si veprimtar”, shkruhet në komunikatë. Varrimi do të bëhet të mërkurën, në orën 13:00, në Prishtinë.
Gazeta Koha Net.