26 Shtator 2024

Redi Ramaj, avokati i deputetit demokrat, Ervin Salianji, për të cilin Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për ligjvënësin, e konsideroi tërësisht politik vendimin e shpallur nga gjykata.

Avokati Ramaj në rubrikën “Opinion” në News24, tha se për dënimin e Salianjit u përdor si dëshmitar një personazh me precedent penal, i dënuar nga ligji disa herë.

“Termi i përdorur nga Gjykata për dënimin e Salianjit mund të ndodhë vetëm në vendet diktatoriale.

Gazetari Jetmir Olldash e ka thënë edhe në organet e drejtësisë se ka regjistruar me dijeninë e Albert Veliut, pra kanë bërë marrëveshje me të, për të regjistruar një shtetas që është vëllai i Fatmir Xhafajt, i cili në atë kohë ishte ministrër i Brendshëm. Regjistrimi është bërë për Geron Xhafajn, i cili megjithëse ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet ligjzbatuese italiane, vijonte të ishte në liri.

Materiali i incizuar i është dorëzuar Salianjit, i është kërkuar mbrojtje politike, dhe pas një fare kohë është bërë publik.

Më pas pushteti ka ngritur një çështje tërësisht të re duke thënë se organizatori i kësaj historie është Salianji mbi bazën e thënieve të Fredi Alizotit, i cili ka bërë 4 herë burg. Nuk u provua asnjëherë që Fredi Alizoti të ketë kontaktuar me Salianjin, të kishte mesazhe, apo takime me të.

Kishte mesazhe mes gazetarit dhe Salianjit. Policia e Shtetit fabrikoi gjithë këtë farsë, duke përdorur Fredi Alizotin, i cili thonte që regjistrimi është zhvilluar në janar 2018, ndërkohë që kishte nisur në tetor 2017.

Nuk ka pasur asnjë kallëzim konkret nga Salianji, por ai ka qenë i gatshëm që çdo provë dhe dijenitë që kishte t’ia dorëzonte policisë”, tha Ramaj.

Balkanweb