Pas GJKKO, edhe SPAK ka dërguar një shkresë zyrtare për Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme, institucionet e tjera ligjzbatuese si dhe delegacionin e BE në Tiranë, lidhur me protestën që u zhvillua dy ditë më parë në mbrojtje të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe mosmarrjen e masave nga forcat e rendit.

Në shkresë, SPAK thekson se “protestuesit kanë penguar lëvizjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit duke sulmuar automjetet dhe kanë përdorur fyerje dhe kërcënime ndaj tyre”.

“Duke u mbështetur tek raportimet e punonjësve të Gardës së Republikës janë kryer kërkesa të përsëritura për ndihmë drejtuar Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin e jashtëm të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, duke vendosur një kordon sigurie të forcave policore. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë në protestat e zhvilluara, pranë ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme”, thuhet në shkresën e SPAK.

“SPAK ka kërkuar përmes shkresës zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025: Marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për mungesën e reagimit. Një shpjegim të argumentuar për mungesën e masave si në rastet e ngjashme në incidentin e datës 12.02.2025. Gjithashtu e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit një shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cënim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Mosveprimi për të garantuar sigurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe institucioneve të drejtësisë bie ndesh edhe me standardet ndërkombëtare si dhe ato që lidhen me kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e sundimit të ligjit”, vijon më tej SPAK.

Shkresa e plotë

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përmes një shkresë zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit duke i shprehur shqetësimin mbi mungesën e reagimit në garantimin e sigurisë dhe rendit publik, përpara dhe gjatë seancës gjyqësore më datë 12.02.2025 ora 08:30, përpara ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme.

Seanca gjyqësore zhvillohej për marrjen në pyetje të personave nën hetim E.V, A.X, E.A, G.S, M.P, F.B, dhe Sh.F për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit.

Gjatë protestës së zhvilluar më 12.02.2025, protestuesit kanë penguar lëvizjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit duke sulmuar automjetet dhe kanë përdorur fyerje dhe kërcënime ndaj tyre.

Bazuar në legjislacionin dhe aktet nënligjore në fuqi, objektet ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre SPAK dhe Gjykata e Posaçme mbrohen nga Garda e Republikës. Po ashtu në nenin 7, pika 1, gërma “l” e ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”, parashikon bashkëpunimin e Gardës së Republikës me Policinë e Shtetit për garantimin e sigurisë, veçanërisht në raste të situatave të jashtëzakonshme.

Duke u mbështetur tek raportimet e punonjësve të Gardës së Republikës janë kryer kërkesa të përsëritura për ndihmë drejtuar Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin e jashtëm të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, duke vendosur një kordon sigurie të forcave policore. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë në protestat e zhvilluara, pranë ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme.

SPAK ka kërkuar përmes shkresës zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025:

Marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për mungesën e reagimit.

Një shpjegim të argumentuar për mungesën e masave si në rastet e ngjashme në incidentin e datës 12.02.2025.

Gjithashtu e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit një shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cënim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Mosveprimi për të garantuar sigurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe institucioneve të drejtësisë bie ndesh edhe me standardet ndërkombëtare si dhe ato që lidhen me kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e sundimit të ligjit.

Shkresa i është drejtuar veç Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si edhe për dijeni Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Balkanweb