U takua me drejtorin e CIA-s, kryediplomati boshnjak zbardh detaje: – U diskutua rreth dialogut Kosovë-Serbi
20 Gusht 2024
Drejtori i CIA-s, William Burns, zhvilloi sot një takim në Sarajevë me Almir Xhuvo, drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës.
Më pas, Burns u takua me udhëheqësit e shtetit dhe ministrin e Jashtëm, Elmedin Konakoviq, në presidencën e Bosnje-Hercegovinës.
Konakoviq ndau disa detaje të diskutimit me kreun e CIA-s, duke e konsideruar vizitën e tij si shumë të rëndësishme.
“Kjo vizitë është një dëshmi se SHBA e mban këtë rajon, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën, në krye të prioriteteve të saj.
Kjo ka një rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit tonë. Prania e drejtorit të CIA-s është një mesazh i qartë nga administrata amerikane për të gjithë në rajon dhe në botë se SHBA është e angazhuar,” tha Konakoviq për gazetën boshnjake “Avaz“.
Lidhur me drejtorin e CIA-s, Konakoviq theksoi se ai është shumë i informuar për situatën në Bosnjë-Hercegovinë.
“Biseduam për proceset në BeH, për rëndësinë e NATO-s dhe integrimin evropian, për faktorët që na ndihmojnë ose na pengojnë. Gjithashtu, shkëmbyem disa informacione që nuk janë për publikun.
Kjo vizitë tregon seriozitetin me të cilin administrata amerikane po trajton çështjet në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është shumë inkurajuese,” shtoi ai.
Gazeta “Avaz” raportoi se Burns do të vazhdojë turneun e tij në rajon, duke vizituar Beogradin pas Sarajevës. Kur u pyet nëse kjo vizitë reflekton një fokus të shtuar të SHBA-së në rajon, Konakoviq u përgjigj:
“Pa dyshim që po. Ata do të vizitojnë disa vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo tregon se rajoni ynë është shumë i rëndësishëm për ta.
Gjithashtu, është jetike për ne që të qetësojmë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, të zbusim tensionet dhe të fokusohemi në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e rajonit, në vend të përplasjeve mbi çështje historike.
Prania amerikane kontribuon në stabilizimin e marrëdhënieve dhe në adresimin e çështjeve që janë me rëndësi për qytetarët,” përfundoi Konakoviq.