Ukraina lëshon raketa amerikane në Krime. – Rusia zotohet për kundërpërgjigje ndaj SHBA-ve
25 Qershor 2024
Rusia u zotua se do të marrë masa në shenjë hakmarrjeje ndaj Shteteve të Bashkuara, kur thirri në ministrinë e Jashtme të hënën ambasadoren amerikane në Rusi Lynne Tracy dhe bëri përgjegjëse Shtetet e Bashkuara për sulmet në Krimenë e ankesuar nga Rusia.
Rusa pretendon se sulmi u krye me raketa të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara.
“Patjetër që do të merren masa në shenjë hakmarrjeje”, tha ministria e Jashtme e Rusisë. Ministria nuk dha më shumë hollësi.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara, që kanë furnizuar Ukrainën me raketat taktike ATACMS janë përgjegjëse për sulmin ndaj civilëve.
Sipas autoriteteve, raketat ATACMS u përdorën në sulmin që la të vrarë 4 persona dhe plagosi 150 të tjerë.
John Bass, nënsekretar në detyrë për çështjet të politikës së jashtme pranë Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se nuk ishte në dijeni të bilancit të viktimave si pasojë e sulmit, por tha se ka një dallim të thellë mbi mënyrën se si Ukraina dhe Rusia kryejnë sulmet e tyre.
Ai tha se ështët e nevojshme që Ukraina të marrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve ndërsa sulmet e Rusisë kanë qenë që në fillim tejet të ashpra.
Javën e kaluar, Uashingtoni i hapi udhë Ukrainës që të përdorë raketat me rreze më të gjatë të furnizuara nga SHBA-të brenda Rusisë, por vetëm për vetëmbrojtje. Vendet perëndimore kanë hezituar të lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre në Rusi, sepse nuk duan të provokojnë Rusinë dhe të përshkallëzojnë konfliktin.
Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, një akt që shumica e botës e ka kundërshtuar. Rusia, megjithatë, vazhdon ta konsiderojë Krimenë pjesë të Rusisë.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas njoftuan mbi një sulm të Rusisë me raketa ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, nga i cili u plagosën tre persona.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha të hënën se forcat e saj shkatërruan katër dronë ukrainas mbi rajonin e Rostovit.
Gazeta Dita