12 Mars 2025

.. dihmat e SHBA-së do të rifillojnë pa vonesë, duke forcuar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA do të takohet me rusët sonte ose nesër, duke komentuar marrëveshjen e armëpushimit 30-ditor të pranuar nga Ukraina. Ky armëpushim, i propozuar nga SHBA, u miratua pas më shumë se 3 vitesh luftë mes Ukrainës dhe Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dhënë dakordësinë për armëpushimin pas një takimi të gjatë me një delegacion amerikan në Xheda, Arabinë Saudite. Si pasojë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të heqin pezullimin e ndihmës ushtarake dhe të ndarjes së informacionit të inteligjencës me Ukrainën. Ky vendim ka ardhur pas bisedimeve mes delegacioneve të SHBA dhe Ukrainës.

Në një deklaratë të përbashkët, palët konfirmuan se ndihmat e SHBA-së do të rifillojnë pa vonesë, duke forcuar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus. Gjithashtu, është rënë dakord për përshpejtimin e marrëveshjes për shfrytëzimin e burimeve minerare të Ukrainës, që do të finalizohet sa më shpejt.

Shtëpia e Bardhë e përshkroi takimin në Xheda si “pozitiv” dhe “produktiv”, duke theksuar se samiti zgjati më shumë se shtatë orë dhe solli rezultate konkrete. Ky angazhim i SHBA-së shënon një moment kyç në mbështetjen ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.