Ulet përqindja e burrave e grave që punojnë në bujqësi! – Rrezikohen mallrat e shportës dhe rritja e çmimeve
29 Qershor 2023
Me më shumë se një gjeneratë vonesë krahasuar me vendet e tjera europiane, Shqipëria vazhdon të përballet me lëvizje ndër-sektorialë, nga aktivitetet bujqësore tek ato jobujqësore.
Prirja vlen si për gratë, ashtu edhe për burrat. Kjo sjell disa ndikime në perspektivat e punës dhe migracionit në të ardhmen analizon një studim i fundit i IOM, pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Studimi vë në dukje se, familjet që lënë veprimtaritë bujqësore do të vazhdojnë të rritin zonat urbane.
Gjatë vitit 2017-2021 përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin bujqësor është ulur gjatë katër viteve të fundit. Në të kundërt, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin jobujqësor ka arritur në më shumë se 70%.
Përqindja e femrave të punësuara në sektorin bujqësor është ulur gjatë katër viteve të fundit, edhe pse ulja ka qenë me ritëm më të ulët krahasuar me meshkujt. Nga ana tjetër, përqindja e femrave të punësuara në sektorin jobujqësor u rrit, nga 57% në vitin 2017, në 60% në vitin 2021.
Një prirje e re që nuk është e zakontë vetëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në të gjitha vendet e BE-së fqinje me Lindjen e Afërt, është rritja e përqindjes së punonjësve të angazhuar në veprimtari industriale.
Në rastin e Shqipërisë, raportohen lëvizje ndërsektoriale të popullsisë mashkullore të punësuar, nga sektori i shërbimeve, në sektorin industrial. Të dhënat zyrtare raportojnë se prirja te gratë është e kundërt. Një vëzhgim më i imtë konfirmon se këto lëvizje janë të përqendruara në sektorin e prodhimit, pasi punësimi në ndërtim jo vetëm mbizotërohet nga burrat, por përqindja e tij në raport me totalin e veprimtarive jobujqësore u ul gjatë ciklit të kaluar ekonomik.
Burrat e punësuar shfaqin gjithashtu lëvizje nga shërbimet e minierave dhe guroreve dhe shërbimet jo-tregtare në shërbimet e tregut. Të dhënat zyrtare raportojnë prirje pjesërisht të ndryshme për gratë, ulja e veprimtarive industriale të të cilave mund të shpjegohet ose nga një prani më e madhe e kontributit të tyre për të nxitur aktivitetet ku informaliteti është i lartë dhe/ose duke lëvizur në sektorët e karakterizuar nga forca punëtore e kualifikuar dhe e arsimuar, konkretisht, në shërbimet e tregut ose prodhimin me produktivitet më të lartë.
Efektet mbi prirjet migratore vitet e ardhshme janë të shumta. Një forcë shqiptare pune, sidomos e grave, më e prirur të angazhohet me punonjës të kualifikuar ka të ngjarë të jetë më tërheqëse jo vetëm për veprimtaritë brenda vendit, por edhe për sektorët me mungesa në Europën Perëndimore, të cilët kërkojnë kryesisht fuqi punëtore të kualifikuar.
Përveç kësaj, kjo duhet të paralajmërojë politike bërësit shqiptarë për nevojën për të krijuar rrugë për migracionin e brendshëm jo vetëm për punonjësit e pakualifikuar, por edhe për profesionet, sidomos në sektorin e shëndetësisë, ku prania e kandidatëve të kualifikuar shqiptarë ka të ngjarë të tkurret viteve që vijnë. Prirjet e pikasura nga situata e pesë viteve të shkuara janë të strukturuara.
Përvoja ka treguar se njerëzit nga zonat rurale janë më të prirur të migrojnë së brendshmi, në vend që të përfshihen në migracionin e jashtëm ndërkombëtar. Për këtë arsye, ka të ngjarë që mekanizimi i veprimtarive bujqësore të mos mundë të kapë ritmin e personave që largohen drejt zonave urbane.
Ekspertët e IOM rekomandojnë që politikë bërësit shqiptarë të gjejnë instrumente që lejojnë hyrjen e emigranteve për motive punësimi, të gatshëm të bëjnë punë në bujqësi. Për këtë, Shqipëria konkurron thuajse me të gjitha vendet në Europë, që kërkojnë forcë pune në bujqësi.
Nëse nuk ka alternativa të qëndrueshme të politikave migratore, kjo mund të çojë në rritjen e çmimeve të mallrave të shportës dhe artikujve të tjerë bujqësore, për një vend që ende varet shumë nga prodhimi vendas.
Ka disa vjet që studimet sektoriale vazhdojnë të raportojnë mungesa në fuqinë punëtore në bujqësi, si dhe në ndërtim dhe në prodhim, i cili ka intensitet punësimi. Për një vend si Shqipëria, e integruar gjeografikisht në kontinentin evropian, kushti i dobishmërisë për t’u larguar nga fshati nuk përfshin vetëm sektorin jobujqësor, por edhe të gjitha ato vende pune që u vihen në dispozicion shqiptarëve në BE, numri i të cilave u rrit. /Monitor