Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës shpreh shqetësimin për sjelljen arbitrare që qeveria shqiptare ka ndërmarr ndaj RTV Ora
4 Nentor 2022
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës shpreh shqetësimin për sjelljen arbitrare që qeveria shqiptare ka ndërmarr ndaj RTV Ora.
Sekuestrimi i një televizioni opozitar që prej vitesh ka denoncuar skandale politike, afera korruptive, ka nxjerrë në pah të vërteta, duke zbardhur paligjshmërinë e drejtuesve të lartë të shtetit dhe të grupeve kriminale të lidhura me to, është një goditje e drejtpërdrejtë e pushtetit të katërt të demokracisë që është media e informimi publik.
Sekuestrimi i RTV Ora është formë shprehjeje e restaurimit të një diktature që kamuflohet nën një demokraci false në dëm të shprehjes së lirisë së mendimit, dhënies së informacionit dhe të së vërtetës.
Sekuestrimi i një televizioni është alarm publik se Shqipëria po shkon çdo ditë e më shumë drejt një regjimi autokratik që mbyt çdo media opozitare në shërbim të së vërtetës.
UGSHPD është në krah të gazetarëve e punonjësve të këtij televizioni, punës e kurajos së tyre për të kryer misionin sublim të medias: informacion i lirë, i vërtetë e i pavaruar.
Mediat e gazetarët kanë të drejtën-detyrim të informojnë publikun.
Fshehja e se vërtetës, gënjeshtrat, informacioni fals, mashtron shoqërinë, krijon bazën e këtij pushteti e të dizinformuarit shndërrohen në tullat e këtij sistemi skllavërie moderne! Demokracia false e informacioni shërbyes i këtij sistemi është më i rrezikshëm se sa një diktaturë!
Ç’po ndodh me mediat shqiptare ne përgjithësi, e me RTV ORA sot, tregon se kush ka frike nga e vërteta, godet me një furi te frikshme kundër pilastrit me bazik te mendimit e shprehjes se lire dhe fuqisë se katërt te një regjimi demokratik: Media e Komunikimi! Demokracia false përdor ligjin e rendin, në shërbim të politikës autokratike!
Prej kaq vitesh (2013-2022) në pushtet kjo qeveri ka treguar se, për të menaxhuar sundimin diktatorial, nëpërmjet pushtetit totalitar dhe një administrate që ekzekuton pasionin e njëanshëm autoritar, ka goditur sistematikisht median, ku renditen dhjetra shembuj dhune, presioni, shantazhi dhe formash të tjera të kundërligjshme. Së fundmi, me ndaljen e ORËS, ky pushtet po tregon se po afron fundin e kohës së ekzistencës së vet.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës
Me, 4 Nëntor 2022