Urbanistika në kaos/  – Tani, një përbindësh gjigant. Duan edhe Akademinë e Arteve

Aug 2, 2019

ANILA DEDAJ/ “Arkitektura nuk është një vizatim në tavolinë, arkitektura bëhet në hapësirë”. Maks Velo u drejtohet me këto fjalë udhëheqësve politikë që shpërfillin mendimin e specialistëve dhe vënë dorë pa u menduar gjatë mbi urbanistikën.

Rast i tillë është për arkitektin Teatri Kombëtar, ku ndonëse arkitektët profesionistë kundrejt punonjësve të shtetit këmbëngulin unanimisht për restaurimin, askush nuk i dëgjon. Por kjo mungesë konsulte, sipas Velos, rrezikon që të sjellë një fund të llahtarshëm si ai i stadiumit “Qemal Stafa”, ku është zhdukur pista olimpike e në vend të saj ka “mbirë” një përbindësh gjigant komercial, që zë Dajtin e transformon sheshin.

Velo u kujton pushtetarëve se punët e tyre marrin vlerë kur këshillohen me specialistët dhe jo kur këta të fundit, për vendime me peshë për urbanistikën vendëse, zëvendësohen me arkitektë të rinj pa përvojë, që vendosin lehtësisht firmën. Një ngërç i tillë, sipas arkitektit, ka si shkaktar kryesor mungesën e theksuar të transparencës, ku kullat e ndërtesat e transformuara serviren ngutshëm, pa kaluar fazat e nevojshme.

E mandej gabimet fatale do të gjenerojnë të tjera, pasi siç mjeshtri thotë, objektet funksionojnë si një organizëm i vetëm. Për Velon është absurde që qeveria kërkon me çdo kusht një Teatër Kombëtar të ri, ndërkohë që Ministria e Kulturës nuk ka publikuar asnjë detyrë projektimi, çka pengon grupet e interesit të kontrollojnë ecurinë dhe njëherazi i lë arkitektit liri për të vepruar sipas dëshirës.

Për “Panoramën” ai tregon se ua ka parashtruar disa herë Ramës dhe Veliajt nevojën për një ambient, ku të shqyrtohen dhe të bëhen transparente projektet dhe maketet, por deri më tani, edhe pse i është premtuar se një e tillë do të realizohet pranë Muzeut, askush s’ka ndërmarrë një hap konkret.

Zoti Velo, arkitektët kanë dalë me një vendim unanim kundër shembjes së Teatrit dhe kanë sugjeruar Bulevardin e Ri, si një nga vendet e përshtatshme për të ndërtuar një tjetër teatër. A bini dakord me këtë?

Sigurisht, vetëm një vit më parë 77 arkitektë firmosën kundër shembjes, këtë vit numri i tyre është rritur. Bulevardi i Ri, jo vetëm për një teatër të ri, por do të kishte qenë i përshtatshëm edhe për stadiumin. “Qemal Stafa” duhej lënë siç ishte dhe ndërkohë do të kishim dy stadiume. Madje, ëndrra ime ishte që të prishej edhe ajo pjesë që ishte shtuar nga partia dhe të kthehej në pamjen origjinale. Për më tepër që flitet edhe për të riaktivizuar bulevardin, ku ka mënyrë më të mirë?! Por që të harxhosh para për të prishur stadiumin dhe aty të ndërtosh një hotel, një kompleks tregtar, është absurde. Dhe i gjithë ngërçi nis nga mungesa e transparencës. Deri më sot nuk jepet asnjë e dhënë për stadiumin. Thuhet vetëm se vlera e tij shkon në 60 milionë. Por, sa është pjesa e stadiumit dhe sa pjesa komerciale? Në qoftë se raporti është 10 milionë me 50 milionë, atëherë ky nuk është më stadium, por një qendër tregtare gjigante. Një llahtar i panevojshëm.

Si ka ndryshuar territori i stadiumit pas ndërhyrjeve?

Kemi të bëjmë dhe me një “fryrje” të territorit, pasi nuk është më te njolla e mëparshme. Është zmadhuar shumë, ka shkuar afër godinave të tjera. Është shndërruar në një përbindësh që shkatërron mashtabin, raportin me objektet e tjera. Kjo, pasi godinat janë si organizmi i njeriut, funksionojnë në tërësi nga pikëpamja arkitektonike. Pra, raporti midis godinave qe në harmoni dhe kjo ndërhyrje ka krijuar kaos. Ç’mbetet të bëhet tani për ta ndrequr këtë raport?! Të prishet ndërtesa që u bë, apo të ndërhyhet te gjithë të tjerat? Ai është si një përbindësh gjigant, që zë pamjen e Dajtit e transformon tërësish sheshin. Sikur kjo të mos mjaftonte, tani dalin me një tjetër propozim: Të shkatërrojnë Akademinë e Arteve. Që të bëjnë një gjysmë sfere nga ana tjetër dhe të shkatërrojnë pjesën që është ndërtuar gjatë komunizmit të Akademisë së Arteve. Por ajo mbart vlera, sepse është projektuar nga arkitektë si Mauricio Bega e të tjerë. Kjo tregon se kur bëhet diçka nxitimthi, do të dëmtojë dhe gjenerojë të keqen. Madje duan të ndërtojnë edhe në atë parcelën e vogël, midis Sheratonit dhe Universitetit, në atë parkun pranë. Ajo që unë nuk arrij të kuptoj në këtë situatë është: Si nuk kanë frikë këta njerëz?! Sepse problemi i stadiumit nuk ka për t’u mbyllur aq lehtë. Nuk mund të shitet stadiumi kombëtar. Kur të shkojnë njerëzit atje, do të përballen me një llahtari. Stadiumi është si i futur në një kazan, ku e ke të pamundur të shikosh qiellin apo gjelbërimin. Njeriu shkon në stadium për t’u çlodhur. Kjo është tendenca e stadiumeve. Madje mbulesa bëhet transparente për të krijuar frymëmarrje.

Për sa u përket krisjeve që krijohen nga mosplanifikimi i urbanistikës, pati një diskutim të ngjashëm edhe për projektidenë e arkitektit danez, pasi sipas arkitektëve ndërtesa do të kishte intensitet 4 herë më të madh se objektet e tjera. Mendoni se pavarësisht këtyre mund të merret përsëri në konsideratë?

Është bërë gjithë kjo rezistencë, nuk di të them se si do të ndryshojë rrjedha e ngjarjeve. Nëse do të merret përsëri në konsideratë projekti i Bjarke Ingels. Por di të them se ai projekt është skandaloz. Të bësh një Teatër Kombëtar si urë në ajër dhe njëherazi t’i gënjesh njerëzit se do të kenë 3 salla brenda duke qenë vetëm një e tillë, është e tmerrshme. Përpos kësaj, me projektin e danezit zhduket edhe sheshi përpara teatrit. Por çelësi i gjithë kësaj qëndron te marrja e territorit. Në realitet nuk janë bërë ndonjëherë merak për teatrin, problemi mbetet territori. Të marrin pjesën më të madhe të tij e të lënë dhe pak metra katrorë për teatër. Për më tepër që ne nuk po shohim pjesën tjetër të projektit, 6 kullat. Ku janë? Sa është lartësia e tyre? Nga do të qarkullohet? Sa apartamente do të jenë? Përkatësisht, cila është kostoja e tyre. E pra, s’mund të përgjigjemi, pasi çdo gjë bëhet në mungesë transparence dhe mungesa e transparencës sjell që çdo gjë të bëhet në mënyrë “de facto” dhe pastaj askush s’ka ç’bën më. As korrigjime e as përmirësime. Siç ndodhi me stadiumin, ne ende sot nuk kemi asnjë të dhënë.

Nga qeveria dhe bashkia po thuhet vazhdimisht se ky transformim, që përfshin edhe shembjen e godinës, bëhet në të mirë të komunitetit, pasi godina e Teatrit nuk mund të rezistojë gjatë…

Nëse do të donin realisht të bënin diçka të mirë, që t’i shërbente kombit, mund të kishin bërë bibliotekën. Dhe kështu do të ishte një kompleks kulturor shumë harmonik, Teatri dhe Biblioteka Kombëtare. Është e provuar tanimë, edhe nga vlerësimet e analizat e specialistëve, që teatri reziston. Kapriatat e “Notre Dame” ishin bërë 1300 vite para dhe nga kontrolli që iu bë së fundmi rezultoi se janë në mënyrë të përsosur. Sepse ajo është kryesorja. Përpos kësaj, ai është një teatër i mrekullueshëm, që nuk përsëritet më. Jo më kot unë insistoj, sepse në Shqipëri janë bërë shumë teatro dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur të krijojë magjinë e Teatrit Kombëtar. Kjo, sepse teatrot kanë një specifikë shumë të veçantë .

Kryeministri Rama, edhe gjatë deklaratës së fundit, ka përmendur faktin se Teatri është bërë me materiale të përkohshme. Ç’mendoni rreth kësaj?

Unë i kam ndjekur çka janë thënë, jo vetëm nga Rama, por edhe nga artistët. Dhe, ata që janë shprehur pro shembjes, nuk janë specialistë. Lexova njërin prej tyre që thoshte se donte një teatër luksoz, por për mendimin tim ky artist nuk e kupton se ç’do të thotë ‘luksoz’. Një violinë e re mund të jetë e shkëlqyeshme, por nuk mund të krahasohet për nga vlerat me një violinë të vjetër “Stradivarius”, apo një tjetër violinë qindravjeçare. Kjo, sepse ajo violinë e ka marrë tingullin, e ka përpunuar brenda dhe ka krijuar një patinaturë të tij. I tillë është edhe Teatri. Ky teatër ka marrë tinguj nga të gjitha shfaqjet, artistët. Ndaj, dhe operave të vjetra u jepet një vëmendje e jashtëzakonshme. Unë kam shkuar në Operën Kombëtare të Parisit, “Grand Opera”, dhe në “Opera Bastille” (1989), por ka një diferencë shumë të madhe. Nuk mund të krahasohen për nga vlera. Pra, le të bëjë çdokush detyrën e vet dhe t’ua lëmë specialistëve të flasin për materialet apo teatrin. Arkitektët kanë folur, po ashtu edhe organizata prestigjioze “Europa Nostra”, u shpreh qartazi kundër shembjes. Rama ka bërë shumë ndryshime pozitive, por kjo nuk justifikon të tjerat. Merita e një udhëheqësi është të mos bëjë “gafa” të pariparueshme dhe gabimi i Ramës është që ndërhyn në urbanistikë. I është mbushur mendja ser mund të japë mendime për arkitekturën, asnjë udhëheqës politik nuk bën të tilla ndërhyrje. Arkitektura është një sferë shumë delikate, nuk është një vizatim në tavolinë. Arkitektura realizohet në hapësirë.

Ndërkohë që flasim për mendime të specialistëve, vitin e kaluar Instituti i Ndërtimit, në raportin e tij, e konsideroi riparimin e godinës të vështirë dhe me kosto shumë të lartë, pasi, sipas tyre, kërkohet ndërhyrje në 90% të objektit. Sa real ju duket një konkluzion i tillë?

Ju e kuptoni se njerëzit kanë frikë. U ka hyrë frika në palcë. Ata që bëjnë një pohim të tillë, janë të gjithë nëpunës, që u duhet të thonë atë që u thuhet të thonë. Certifikimet e bëra janë një punë e ulët. Të tilla analiza, nëse duhej pasqyruar realisht gjendja siç është, mund të ishin bërë me grupe të huaja. Është e qartë për të gjithë mospërputhja, pasi kanë rënë kaq tërmete dhe godina nuk ka lëvizur, ndërkohë që ndërtesa të tjera janë çarë. Specialistët, përfshirë këtu emra si Kreshnik Merxhani, kanë nxjerrë dosje ku konfirmohen themelet, shtyllat e forta si dhe kapriatat e drurit në gjendje perfekte. Kështu që gjithë të tjerat janë justifikime për ta prishur. Me eksperiencën time, e them me siguri se me pak riparime, ajo godinë jeton deri në 100 vjet. Është një nga shembujt e një arkitekture shumë të mirë. Ashtu siç është, mandej ka dhjetëra mundësi për ta bërë superluksoze.

Folët për mungesë transparence, ndërkohë që është rihapur tenderi për Teatrin, ç’mund të thoni për mënyrën sesi po procedohet?

Më shqetëson fakti se deri më sot nuk është dhënë asnjë detyrë projektimi. Ku është detyra e projektimit të Teatrit Kombëtar, që duhej të ishte botuar nga Ministria e Kulturës, në mënyrë që ne të interesuarit të kontrollojmë se sa zbatohet?! Në raste të tilla, kur një ndërtesë bëhet pa një detyrë projektimi, i jepet liri arkitektit që të bëjë ç’të dojë. Aktualisht po veprohet pa plan, pa maket. I kam thënë Ramës disa herë që të krijojë një sallë me të gjitha projektet dhe maketet, për t’u dhënë mundësi të interesuarve t’i shikojnë. Ja kam thënë edhe Veliajt. Më tha se do ta bëjmë pranë Muzeut Historik. Nuk e bëri! Për shembull, arkitekti italian që ka bërë stadiumin, Marco Casamonti, paraqiti një maket për Institutin e Arteve. Ku është ai maket? Pra, në qoftë se do të kishte një ambient ku të pasqyroheshin projektet, atëherë mund të shikoheshin dhe ndryshimet që bëhen. Pasi ajo që vërej është se planet rregulluese po ndryshohen vazhdimisht. Ne sot, nuk dimë se cili është plani i fundit i Tiranës.

Zoti Velo, flisni vazhdimisht për magjinë e kësaj godine, ç’ju bën ende tani që i keni kaluar të 80-t, të dilni ende në agore për ta mbrojtur?

Krahas të tjerave, është misteri i këtij Teatri. Marrëdhënia e ngrohtë aktor-spektator që krijohet. Raporti i skenës, i boka skenës, i thellësisë skenike, i zërit që dëgjohet. Madje, edhe pse aktorët tanë flasin ngadalë, dëgjohen çuditërisht deri në rreshtat e fundit. Aktori mund ta kontrollojë sallën. Asnjë nga teatrot e tjerë nuk i arin këta parametra. Është mëkat të prishet. Ky teatër është një trashëgimi e vyer e qyteti pasurohet nga prezenca e godinave të tilla. Përpos kësaj ka kaq shumë mundësi për ta sjellë në formë moderne, mund të bësh piramidë me xham, kube etj. Ai territor krijon një lloj frymëmarrje në agresivitetin që krijon Bulevardi. Ka kaq shumë funksione. Nuk duhet të biem në gabime si Turbina. Është një llahtar. Unë shkova e u tmerrova dhe nuk shkel më. Me ato para mund të ishte rregulluar Teatri Kombëtar.

PANORAMA