Ushtarët rusë preken nga ethet e minjve – Gjak nga sytë dhe infeksion në veshka
21 Dhjetor 2023
Ofensiva ruse në Ukrainë ka hasur në pengesa nga më të ndryshmet, por më e fundit që raportohet nga zyrtarë të Kievit, duket e padëgjuar. Ushtarët e Putin që ndodhen në front po vuajnë nga një sëmundje e quajtur ethet “e kafshimit të miut”, që shkakton gjakderdhje në sy, të vjella dhe mosfunksionim të veshkave.
Drejtoria e Inteligjencës e Ukrainës raportoi se sëmundja, e quajtur ethet “kafshimi i miut” është përhapur me shpejtësi në njësitë ruse që po luftojnë në rajonin Kupyansk.
Drejtoria tha se sëmundja është një lloj infeksioni streptokoksik, që mund të transmetohet nga kontakti i drejtpërdrejtë me brejtësit, ose duke thithur urinën, feçet apo mukozën e tyre.
Sipas tyre, simptomat, krahas gjakderdhjes së syve, të vjellave dhe dhimbjeve të forta të shpinës, përfshijnë edhe dhimbje koke, skuqje, ulje të presionit të gjakut dhe ethe e temperaturë deri në 40 gradë.
Në fazat e hershme, sëmundja është e ngjashme me gripin, megjithatë, ajo shpejt intensifikohet dhe mund të dëmtojë seriozisht organet kryesore si veshkat.
Është pohuar gjithashtu se komandantët rusë kanë injoruar ankesat për shpërthimin e sëmundjes sepse ata i shohin ethet si një justifikim për të shmangur luftimet nga ana e ushtarëve.
Alarmi për sëmundjen vjen në mes të një dimri pakënaqësie për trupat ruse, pasi ata po luftojnë në front duke mos pasur veshje dimërore dhe kanë hasur në mungesë ndihmash mjekësore.
Rusia humbi 1250 burra vetëm të dielën, ndërsa numri i të vdekurve të shtunën arriti në 930, sipas statistikave nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.
Nga OraNews