Vace Zela

“Vaçja, arrogante dhe mospërfillëse ndaj partisë, refuzoi 15 këngë shqip, zgjodhi spanjolle”, letra për Enverin.-

Ekskluzive / Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, Publikohet raport-informacioni i 17 marsit të vitit 1973 për Enverin, Mehmetin dhe Hysniun lidhur me Estradën e Tiranës, i hartuar nga funksionari i lartë i Komitetit Qëndror, Enver Halili, i cili informon rreth atyre që ndodhnin dhe thuheshin aty ku mes të tjerash shkruhet: “Nga diskutimet autokritike me partishmëri të aktorëve të njohur, Skënder Sallaku, Plasari, Shehu, Bukri, Sojli, etj, deri tek kritikat dhe akuzat e ashpëra ndaj këngëtares së famëshme që ishte bërë objekt diskutimi edhe te kolegët”?!

Nga Dashnor Kaloçi,

Dokumenti që po publikojmë në këto kapitull të librit i përket datës 17 mars të vitit 1973 ku funksionari i lartë i Komitetit Qëndror të PPSH-së Enver Halili, informon Enver Hoxhën mbi një mbledhje që është zhvilluar me kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni. Në atë mbledhje e cila zhvillohej po në të njejtën kohë me mbledhjen e mbajtur nga Enver Hoxha në Presidiumin e Kuvendit Popullor, së cilës i kishte paraprirë fjala e tij në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, si bosht kryesor, të dyja kishin të njetën temë: “Shfaqjet e huaja dhe ndikimi i tyre në art, kulturë, letërsi dhe gjithë jetën e vëndit”. Dhe gjithashtu të dyja këto mbledhje mbaheshin vetëm pak kohë pasi kishte përfunduar Festivali i 11 Kombëtar i Këngës në Radio Televizion, i cili u bë shkas në një farë mënyre, apo mundet me shumë gjasa që të kishte qenë edhe preteksti që u gjet për goditjet që iu dhanë shumë shkrimtarëve dhe artistëve, me në krye të ashtuquajturin: Grupi armiqësor në Art e Kulturë me në krye Fadil Paçramin e Todi Lubonjën.

Vace Zela

Ashtu siç do të shohim në raport-informacionin në fjalë, i deleguari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Halili (askohe instruktor ne K.Q. deputet në Kuvendin Popullor, sekretar i parë në disa rrethe dhe vite më pas ministër dhe anëtar i Byrosë Politike), ia ka përshkruar me detaje gjithçka ndodhte në kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni. Madje jo vetëm aq, pra në atë çka ndodhte në punën e tyre, por informacioni shtrihej deri edhe në jetën personale e familjare të aktorëve dhe artistëve të atij institucioni. Ajo që vihet re aty, është se kritikat e ashpëra nuk kursehen as ndaj Vaçe Zelës, e konsideruar që asokohe si një nga legjendat e këngës shqiptare, apo regjizorit të njohur, Bujar Kapexhiu, ndaj të cilit ishte bërë objekt sulmesh, edhe prej faktit se kishte drejtuar si konferencier Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, së bashku me partneren e tij, Edi Luarasi.

Vace Zela

Dhe të gjitha këto të trajtuara me detaje të hollësishme në raport-informacionin në fjalë të të deleguarit të komitetit Qëndror, i drejtoheshin vetë Enver Hoxhës, gjë e cila duket edhe nga firma që ai ka vënë në dokumentin përkatës, por ndryshe nga praktika e zakontë, aty ai nuk ka vënë ndonjë shënim përveç nënshkrimit të tij. Dhe siç ishin rregullat e punës me të cilat funksiononte aparati i Komitetit Qëndror, përveç Enver Hoxhës, ai raport-informacion, është parë edhe nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Petro Dode, të cilët gjithashtu kanë vënë nënshkrimet përkatëse mbi atë dokument. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e dokumenteve që janë pjesë e librit që cituam më lart, edhe ky publikohet I plotë dhe pa asnjë ndryshim, ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse në Arkivin Qëndror të Shtetit, Fondi 14, Aparati, Komiteti Qëndror i PPSH. (Nëntitujt e këtij shkrimi janë redaksional dhe janë marrë në mënyrë integrale në dokumenti në fjalë).

Vace Zela

Informacion

MBI DISKUTIMIN E FJALIMEVE TE SHOKUT ENVER, NE ORGANIZATEN BAZE DHE KOLEKTIVIN E ESTRADES PROFESIONISTE TIRANE

Analiza për problemet që trajton shoku Enver në dy fjalimet e fundit u bë mirë si në organizatë ashtu dhe në kolektiv. Komunistët dhe mjaft pjestarë të kolektivit të cilët diskutuan, ishin përgatit serjozisht dhe me frymmën e kritikës dhe autokritikës ngritën mjaft probleme në mënyrë të veçantë për veten e tyre dhe për të tjerët. Në organizatë bazë diskutuan pa përjashtim të gjithë komunistët, kurse në kolektiv mbi 15 vetë.

Në fillim, në organizatën bazë, diskutimet u përqëndruan më shumë në një drejtim, në atë të shijeve dhe modës, por me ndërhyrjet që u bënë, morrën rrugë më të drejtë, ndërsa në kolektiv orientimi për t’i parë problemet në gjerësinë e tyre u bë më parë dhe kjo ndihmoj për mbarëvajtjen e punës. Në tërësi diskutimet, me ndonjë përjashtim, trajtuan problemin e ndikimeve të huaja të ideologjisë borgjeze revizioniste në përmabjtje dhe formën e punës në skenë, si dhe për sjelljen e kulturuar, shijet estetike dhe modën.

“NE ESTRADE KANE DEPERTUAR FORMA DHE NDIKIME TE HUAJA”

Gjatë zhvillimit të mbledhjes doli se në përgjithësi ka pasur një preokupacion nga organizata bazë dhe disa punonjës pa parti për t’i parë dhe trajtuar drejtë disa probleme si të përmbajtjes dhe të formës së çfaqjeve, ashtu dhe për sjelljen e kulturuar në jetë, shijet ideoestetike dhe modën. Tek këto të dytat rezulton se ndonjëherë është ndalë organizata bazë dhe drejtoria e institucionit sidomos këto dy vitet e fundit me emërimin si drejtor të të shokut Dhimitër Gjoni. Megjithë këtë shokët dhe shoqet që folën, me syrin kritik, ngritën dhe vunë në dukje mjaft çfaqje dhe ndikime të ideologjisë së huaj, kapitalise dhe revizioniste në art, që kanë depërtuar në forma të ndryshme e nga ndonjë person i veçantë edhe në spektaklet e tyre sidomos në muzikë, dekor dhe paraqitje.

Disa nga ndikimet e huaja që kanë depërtuar në trupën e Estradës

-Nga një herë të prirë për të siguruar “suksesin”, pa marrë parasysh misionin e ngarkuar, rolin e estradës si revist folëse edukative, nga udhëheqja dhe më shpesh nga regjia dhe ndonjë aktor i kanë kushtuar rëndësi humorit për humor, pa përmbajtje. Në këtë drejtim u sollën mjaft shëmbuj të realizuar në premierë të ndryshme. Ky fenomen i theksuar ka qenë intermexo dhe parodi, ndonjë nuancë ka pasur dhe në skeçe.

“VAÇJA NUK VJEN TRE MUAJ NE PUNE DHE I PAGUHET RROGA”

-Për të “rritë” vlerën e premierës, për të pasë shumë “sukses”, me dashje kanë vënë një numër të madh këngë të huaja nga njëherë pa ditë dhe përmbajtjen. Përveç “arsyeve”, të sipërpërmëndura tek disa ka ekzistuar edhe predispozicioni e dëshira për të vënë ose kënduar këto këngë. Në një premierë, nga 15 këngë shqiptare që iu afruan për të zgjedhur 1 ose 2 këngëtares, Vaçe Zela nuk pranoi asnjë, dhe isnsistoj të këndoj një të huaja spanjolle, mbas diksutimit me të, drejtuesit u thyen dhe u bë ashtu ashtu siç deshi ajo. Ky debat u bë me Vaçen edhe për një premierë tjetër, por me të drejtë nuk u morr parasysh kërkesa e saj.

Vazhdimisht ka mbajt dhe mban qëndrim kapriçioz, mospërfillës dhe arrogant karshi organizatës bazë, drejtorisë dhe kolektivit, ka mbi tre muaj që nuk paraqitet fare në punë pa asnjë arsye. Nga drejtoria dhe kolektivi janë bërë përpjekje për ta ndihmuar por më kot. Komiteti Ekzekutiv i rrethit është në dijeni të këtyre qëndrimeve të saj por megjithatë ka porositë drejtorinë që t’i paguaj rrogën sikur ajo të ishte në punë. Organizata bazë dhe kolektivi nuk janë dakord me këtë qëndrim.

Vace Zela

“SKENDER SALLAKU: E KEMI EDUKUAR KEQ SPEKTATORIN ME MUZIKE TE HUAJ”

-Të udhëhequr nga arsyetime të gabuara ideologjikisht, se gjoja muzika e huaj e sidomos ajo ritmike i pëlqen rinisë, ishte bërë zakon në Cirk dhe Estradë, nga regjizori, (Bujar Kapexhiu, shënimi ynë. D.K), ndonjë krijues dhe aktor, shoqërimi i parodive e ndonjë skeçi kryesisht me muzikë ritmike të huaj. Në diskutimin e tij kandidati partisë, artisti Skënder Sallaku në mes të tjerave tha: “Ne kemi edukuar keq spektatorët e sidomos rininë duke vënë në parodi muzikën e huaj, bile është zgjedhura jo më eksituesja, jemi entuziasmuar nga duartrokitjet të cilat zakonisht fillonin sa dëgjoheshin notat e para të muzikës dhe aq bënte për përmbajtjen e tekstet i cili në më të shumtën e rasteve nuk dëgjohej fare”. Kujtim Shehu, aktor dhe krijues në Estradë tha: “Kur kishim ndonjë skeç të dobët, me qëllim për ta bërë të suksesëshëm, i futnim melodi të huaj, në gabime të tilla në ndonjë rast kam vënë dhe unë, por tani e kuptoj se duke dashur të vëmë vetulla, kemi nxjerrë sytë”.

Instruktori i K.Q.

Enver Halili

17.3.1973

(Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën dikatin komunist” që pritet të dalë së shpejti, i gazetarit dhe studjuesit të njohur, Dashnor Kaloçi dhe gazeta TemA e boton me lejen e autorit në shënjë homazhi për artisten e famëshme të skenës dhe ekranit, Vaçe Zela, me rastin e pesë vjetorit të ndarjes së saj nga jeta).

Vace Zela

Vace Zela