“Vajtimi i mbivarrshëm”, një ikonë e rrallë në MHK
“Vajtimi i mbivarrshëm”, një ikonë e rrallë në MHK
15 QERSHOR 2021
Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, përfundoi restaurimi i ikonës “Vajtimi i mbivarrshëm”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shkruan se ikona “Vajtimi i mbivarrshëm” ishte pjesë e veprave, që u vodhën në muze në vitin 1994 dhe që u gjetën më pas. “Vepra është një ndër ikonat e rralla që ndodhen në këtë muze, të realizuara nga David Selenicasi, piktori i madh shqiptar i gjysmës së parë të shekullit XVIII. Kjo ikonë ishte pjesë e veprave të vjedhura nga Muzeun Historik Kombëtar në vitin 1994, bashkë me “Epitafin e Gllavenicës”, të cilat u gjetën më pas në vitin 1996”, shprehet Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që ka publikuar dhe foto të kësaj ikone në faqen e tij. David Selenica ose Selenicasi ishte një piktor shqiptar i fundshekullit të XVII dhe fillimshekullit të XVIII.
Ai konsiderohet si një nga figurat më të shquara të ikonografisë në Shqipërinë post-Bizantine. Selenicasi, i njohur edhe si Davidi i Selenicës u lind në fundin e shekullit XVII në Selenicë, një fshat në Kolonjë. Ai vdiq në mesin e shekullit XVIII pranë Korçës. Në ndryshim nga piktorë të tjerë të periudhës së tij, Selenica përdor në pikturat dhe ikonat e tij ngjyra të çelura. Selenica kombinon elemente të artit bizantin të epokës së Paelologut dhe shkollës Veneciane të artit. Vepra e David Selenicasit ndikoi edhe mbi piktorët e tij bashkëkohës si Kostandin Shpataraku, vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi dhe në vepra të tjera të fillim shekullit XIX. Ai konsiderohet si themeluesi i një shkolle të veçantë kombëtare të piktorëve me bazë në Korçë. Punët e tij ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në pavionin e ikonave, si dhe në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Punime të tjera të David Selenicasit gjenden në disa manastire në Malin e Athosit. Në Voskopojë ruhen shtatë prej muraleve të tij.
Gazeta Sot