“Vaksinat janë të pajisura me spiunë”. – Silva Bino flet për transportin e tyre dhe nëse personat që e kanë kaluar koronavirusin duhet të vaksinohen
12 janar 2021
Ndërsa mbërritja në Tiranë e vaksinës anticovid ka ende elementë të pazbardhur lidhur me mënyrën se si ajo është kryer, Drejtoresha e Shërbimit Infektiv pranë ISHP-së, Silva Bino u shpreh se kushtet në të cilat vaksina ka mbërritur kanë qenë adeguate.
Bino tha se vaksinat janë të pajisura me pajisje, të cilat tregojnë kushtet dhe temperaturën në të cilat është kryer transporti.
“Vaksina brenda ka një spiun dhe një skedë të përcaktuar. Spiuni tregon temperaturën e vaksinës, që është brenda kutisë e cila ka akullin e ftohtë dhe ne nëpërmjet atij spiuni shikojmë temperaturën. Temperatura ka qenë adekuate, minus 80 gradë”- theksoi ajo.
-Spiuni tregon momentet e temperaturës së dorëzimit apo gjatë gjithë rrugës?
Bino: Jo, jo gjatë gjithë rrugës.
Bino tha se personat që e kanë kaluar Covid nuk kanë imunitet dhe e vetmja e dhënë që është evidentuar është fakti që nuk kemi raste riinfektimesh vetëm brenda 3 muajsh nga kalimi i Covid.
“Vaksina bëhet edhe kur e ke kaluar Covidin, nuk ka asnjë problem. Përse bëhet kjo? E para, shumë persona që kanë kaluar Covid nuk kanë nivel të konsiderueshëm antikorpesh, të trupave mbrojtës. Nga ana tjetër, ne nuk e dimë se sa mbrojtës janë këto kundërtrupa që ne i masim gjatë testimeve serologjike”, u shpreh Bino.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me faktin se mjekët në botë janë të ndarë lidhur me vaksinimin e personave që kanë kaluar Covid, Bino tha:
“Kjo qëndron për vetë faktin, që sot ne nuk e dimë se sa mbrojtës janë këto kundërtrupa. I vetmi rezultat që kemi, është që nuk kemi riinfektim brenda 3 muajsh që kemi kaluar Covid. Mund ta bësh vaksinën nuk ka asnjë lloj problemi, por mund ta shtymë nëse je brenda 3 muajsh nga kalimi i Covid. Edhe personat që e kanë kaluar Covidin nuk kanë imunitet. Është evidentuar. Janë njëlloj me ata që nuk e kanë kaluar Covidin”.
Gazeta Panorama