“Vala e dytë mund të jetë më e madhe”, paralajmëron Tritan Kalo: Virusi është ende në “lulëzim”, ja çfarë duhet të kemi kujdes gjatë hapjes
“Vala e dytë mund të jetë më e madhe”, paralajmëron Tritan Kalo: Virusi është ende në “lulëzim”, ja çfarë duhet të kemi kujdes gjatë hapjes
23 APRIL 2020
Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, thotë se do të ketë një valë të dytë të koronavirusit, e cila do të jetë më e madhe, por e përballueshme nga strukturat spitalore, nëse zbatohen masat.
Duke folur për lehtësimin e masave, mjeku Kalo theksoi se mund të ketë hapje graduale të jetës, por duhet bërë shumë kujdes, pasi sipas tij, sëmundja është ende në “lulëzim”.
“Ne jemi kërrnacë, por edhe shumë me tefter për të përdorur teste. Duhet bërë hapje graduale, që përplasja me të infektuar të jetë më e vogël, zhvillimi i rasteve të jetë gradual dhe të jetë nën kontroll si numri i të prekurve, si numri i atyre që mund të trajtohen në spital. Në valën e dytë shpresojmë të mos kapërcehen strukturat e spitalit, por ama në Kinë dhe Kore u mbyllën menjëherë pas hapjes, sepse pati shtim të rasteve. Infektimet e valës së dytë mund të jenë më të mëdha se të valës së parë, por mund të përballohen me strukturat spitalore, nëse kemi hapje graduale.
Testet imunologjike nuk janë ende të standardizuara plotësisht. Anglia porositi mbi 2 milionë teste dhe i hodhi të gjitha në kosh. Ky është problemi dhe ka nisur që dje një studim, nëse duhet të shtrijmë testin në popullatë për të parë ku jemi. Akoma jemi në një dilemë të madhe, sepse edhe vetë sëmundja është ende në “lulëzim” e sipër dhe shumë element të saj nuk janë zbuluar ende plotësisht.
Kina mund të ketë njohuri më shumë se vendet e tjera lidhur me virusin. Është e vetmja pandemi në botë ku nuk kanë vajtur ekspertë të OBSH në vatër për të ndjekur mënyrën si menaxhohet”, deklaroi mjeku infeksionist.