
Vala e të nxehtit në Rio de Zhaneron pak para karnavaleve, temperaturat kalojnë 40 gradë celcius
17 Shkurt 2025
Një valë e pazakontë e të nxehtit me temperatura që i kalojnë 40 gradë Celsius, po godet banorët e Rio de Zhaneiros dhe turistët që vizitojnë qytetin pak para karnavalit të tij të famshëm. Mesdita në metropolin prej 6 milionë banorësh ka arritur për herë të parë në nivelin e katërt, nga 5 gjithsej, të alarmit të valës së të nxehtit.
Sipas këtij sistemi që hyri në fuqi qershorin e kaluar, niveli 4 karakterizohet nga një indeks shumë i lartë i temperaturës, midis 40 dhe 44 gradë Celsius, që pritet të vazhdojë për të paktën tre ditë rresht. Në bazë të protokollit komunal, autoritetet duhet të sigurojnë dhoma me ajër të kondicionuar për qytetarët dhe të instalojnë stacione të shpërndarjes së ujit. Edhe shteti i Sao Paulos, në jug të Rios, është vënë në alarm për shkak të valës së parë të të nxehtit të vitit, me merkurin që i afrohet 38 gradë Celsius.
Rekordi i temperaturës për muajin shkurt në Rio është 41.8 gradë Celsius dhe është regjistruar në vitin 2023, sipas Raquel Franco, një meteorologe me sistemin “Alerta Rio” të qeverisë së qytetit. Shumë pjesë të Brazilit po vuajnë nga një valë të nxehti dhe plazhet ishin të mbushura me njerëz këtë fundjavë në Rio, veçanërisht në Copacabana, ku një nga shkollat më të njohura të sambas të karnavalit, Beija-Flor, anuloi një provë për paradën e saj, e cila ishte planifikuar për dje.
Kryebashkiaku i Rios, Eduardo Paes, ka përjashtuar dje mundësinë e anulimit të ngjarjeve të karnavaleve (28 shkurt-8 mars), të cilat tërheqin qindra mijëra turistë dhe kontribuojnë me miliona dollarë në ekonomi.