Variantet e reja të Covid/ Gjermania demaskon Tiranën: Shqiptarja me virusin britanik erdhi nga Rinasi
4 shkurt 2021
Ekspertët shqiptar vazhdojnë të mos e pranojnë hapur që virusi i ri qarkullon në vendin tonë
Nuk bëhet fjalë për një vendas, por shqiptar. Më konkretisht, një 22- vjeçare që sipas të përditshmes “Frankfurter Allgemeine Zeitung” është kthyer disa ditë më parë nga Aeroporti i Rinasit në Hochtaunus, ku jeton si emigrante. E reja kishte shfaqur simptoma të lehta të Covid-19, por që pas ekzaminimeve laboratorike rezultoi të jetë infektuar me mutacionin B117.
Shqiptarja po mbahet në karantinë, sipas Departamentit gjerman të Shëndetësisë, ndërkohë që, sipas rregullave të shtetit, ka nisur gjurmimi i kontakteve të njerëzve të infektuar apo që kanë pasur kontakt me 22-vjeçaren.
Pavarësisht se thuajse të gjitha vendet fqinje kanë identifikuar raste me variantin britanik, Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Në Institutin e Shëndetit Publik pretendohet se ka një sistem alerti që po monitoron rastet e mundshme të mutacioneve te reja, por që deri më tani nuk është gjetur asgjë në mostrat e analizuara.
Praktikisht, ky është rasti i parë në vendin tonë, ndonëse i pikasur nga autoritetet shëndetësore lokale në Gjermani. Zyrtarë në Institutin e Shëndetit Publik kanë folur përgjatë gjithë javës që shkoi për praninë e një lloji të ri koronavirusi, origjina e të cilit nuk përcaktohet qartë. Madje u përmendën dy raste të dyshuara në Elbasan, por që nuk u konfirmuan si mutacione të virusit. Sipas ISHP-së, rastet e dyshuara do të dërgohen për ekspertizë në Spanjë, me të cilët kanë edhe marrëveshje.
Por që kjo të zyrtarizohet do të duhet të kalojnë ditë të tëra, ndërkohë që virusi i ri thuhet të ketë një transmetueshmëri shumë herë më të lartë se i vjetri. Studimet paraprake kanë treguar gjithashtu se variantet e reja të koronavirusit, ai britanik, brazilian apo i Afrikës së Jugut, mund të çojnë më shpejt në mbipopullimin e spitaleve dhe mund të jenë edhe më vdekjeprurëse.
Gazeta Panorama