VARRI I VISARION XHUVANIT, nga Bloku i Udhetarit.
Nga: Atë Foti Cici
AlbanianOrthodox.com
Një foto e marrë me (25 janar 2018) tek varri i Visarion Xhuvanit, ish Senator i Elbasanit, Kryepeshkop i Shqipërisë, Peshkop i Beratit dhe, mbi të gjitha, Dëshmor i Besimit dhe i Ndërgjegjjes, kjo foto, dëshmon se askush nuk ka ndërmend të bëjë diçka për pastrimin e varrit nga ferrat dhe balta vendore.
Sepse kjo çështje nuk përbën më interes për përfitime politike, për asnjërën palë.
Faji sot rëndon më tepër Elbasanin dhe jo Tiranën, sepse Elbasani është qark kishtar më vete, me shef shqiptar. Për më tej, gjithë kleri është me kombësi shqiptare. Kjo është diçka jo vetëm e thjeshtë për ta, por shpirtërisht dhe moralisht e detyrueshme.
Gjithashtu Elbasani ka grupime që merren me çështjet kombëtare ortodokse. Për më tej, besimi fetar nuk është në përndjekje, domethënë vetë besimtarët janë të lirë të shprehen e të veprojnë, aq më tepër për një aktivitet që nuk parashikon leje e protokoll nga asnjë autoritet. Nuk është as aktivitet kombëtar; përkujdesja ndaj të vdekurve dhe varreve të tyre është diçka njerëzore!
Së fundi, Visarion Xhuvani, lindur në lagjen e Kalasë më 1890, ishte senator i Elbasanit zgjedhur qysh në Kongresin e Lushnjës më 1920, i cili e nderoi qytetin e tij në shkallën sipërore!
Visarioni është një emër që do nderohej në çdo vend të qytetëruar.
A ka njerëz me vullnet të mirë në Elbasan, jashtë përkatësive politike e fetare, të cilët mund të bëjnë diçka të mirë sot?
Për shembull, një grup i vogël studentësh, me vrull e dëshira të sinqerta, të bëheni bashkë e të shkoni në Shijon, të bëni një bamirësi?
Sfidoni të mëdhenjtë!