Vasili: Rama gënjen për ish-luftëtarët e ISIS. –
Vasili: Rama gënjen për ish-luftëtarët e ISIS.-
- 8 Qershor, 2018
Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili reagoi sot pas deklaratës së Kryeministrisë, e cili i cilësoi spekulime idetë për ngritjen e një qendre për rehabilitimin e ish-terroristëve të ISIS nga rajoni i Ballkanit.
Petrit Vasili risjellë edhe një herë në vëmendje deklaratën që bëri në Tiranë, më 4 qershor, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov. Borisov tha se në Shqipëri do të ngrihet një qendër rajonale për luftëtarët e ISIS.
Vasili shprehet se reagimi i Kryeministrisë po u bënë shqiptarëve përkthim shqip-shqip të deklaratave, ndërkohë që vetë Edi Rama nuk reagoi kur ky projekt u deklarua nga kryeministri i Bullgarisë.
Reagimi i plotë i Petrit Vasilit:
“Pse bedelët e qeverisë gënjejnë trashe për qendrën e koordinimit te ish-ave të ISIS?
Të thuash që kjo qeveri u çmend e tera nuk është lajm. Është e qartë që të zënë në faj për qendrën e koordinimit të ish-luftëtarëve të ISIS Shqipëri, kanë filluar përkthimet nga shqipja në shqip.
Këta janë kaq të trashë sa po na tregojnë që ka dy gjuhë shqipe, një të qeverisë dhe një të popullit.
E bukur fare kjo, kryeministrit tonë ja thotë në sy kryeministri bullgar dhe tani sqarimet nuk i jep ai vete që ishte 50 cm larg Borisovit, por i japin këta bedelët, se kryeministrit i është zënë goja dhe s’ja mban të flasë vetë.
Për këta bedelët me shqipe të çalë po jua vemë prapë ta lexojnë ç’ka thënë z.Borisov pasi me paturpësine dhe marrinë e tyre duan ta ngaterrojnë edhe atë.
Lexojeni: “Në Shqipëri do të bëhet një qendër koordinimi për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”, u shpreh Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur dje bashkë me Kryeministrin Rama”.