Vaso Tole: – Cfarë më frymëzoi për operën për Skënderbeun. –

Nga: Fatmira Nikolli – Fatos Qerimaj dhe Vaso Tole i kanë shtuar repertorit të muzikës shqiptare kontemporane një balet dhe një opera. Të dy kompozitorët janë vlerësuar në “Konkursin kombëtar për krijimtarinë muzikore”. Çmim inkurajues iu dha kompozitorit të ri Jetmir Zaganjori prej jurisë së përbërë nga Thoma Simaku, Nicole LeFanu dhe Pedro Amaral.

Ka qenë Ministria e Kulturës që e ka organizuar dhënien e çmimeve të “Konkursit mbarëkombëtar të krijimtarisë muzikore” në zhanret e mëdha të muzikës skenike: opera, balet dhe muzikal. Konkursi u çel në kuadër të vitit 2018, shpallur nga qeveria shqiptare “Viti mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut”, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Veprat dhe kompozitorët konkurrues u ngjitën në skenë në natën e ndarjes së çmimeve në ‘ArTurbina’ në datën 14 dhjetor.
Tole mori pjesë në konkurs në zhanrin e muzikës skenike me Opera Solemne “Skënderbeu Kryezoti i Arbrit” me libret të Theofan Stilian Nolit.
I pyetur dje nga “GSH” ai tha se “ky konkurs mbarëkombëtar i gjinive muzikore skenike është përpjekja më serioze e institucioneve të kulturës dhe e kompozitorëve shqiptarë për të rigjallëruar operën dhe baletin shqiptar, të cilat prej 30 vitesh mund të konsiderohen gjini të vdekura. Që pas viteve 1990 ky është rasti i parë ku shohim një interes publik e shtetëror për gjinitë e mëdha muzikore skenike”.

Vasil Tole shtoi se e nxiti një fakt i thjeshtë. “Në vitin e 550-vjetorit të vdekjes, konstatoj se ne nuk kemi në traditën tonë muzikore një vepër muzikore, e cila të nderojë kujtimin e SKËNDERBEUT, HEROIT TONË KOMBËTAR, ashtu siç është në traditën e madhe evropiane ky personalitete të tilla nderohen me vepra muzikore të mëdha të dedikuara enkas, që në titull për të”. Kompozitori vërejti se për këtë ideoi strukturën e OPERAS SOLEMNE “Skënderbeu Kryezot i Arbërit”.
Ajo si strukturë, sqaroi kompozitori, është bashkimi i OPERAS DRAMATIKE ku personazhi kryesor (në këtë rast vetë personazhi i SKËNDERBEUT) vetërrëfen, këndon jetën e tij përmes ARIEVE të mëdha të mbështetura në tekstin letrar të veprës të Fan S. Nolit. Ndër ariet përmend aria ‘Ëndërr e Shën Gjergjit’, ‘Malli për atdhe’, ‘O burrani mbi ta’, ‘Lirinë s’ua solla unë’ etj. “Nga ana tjetër PËRJETËSIA e HEROIT, e cila mbështetet në pjesët e MESHËS SOLEMNE të kompozuara prej meje e të kënduara nga kori në gjuhën latine. Pjesët e meshës janë Kyrie Eleison, Sanctus, Gloria etj. Pra, kemi njëkohësisht një vepër që tregon jetën dhe përjetësinë e Heroit tonë”,-tha Tole.

KOMPOZITORI
Tole diplomohet për kompozicion në Fakultetin e Muzikës, pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë, më 1987, në klasën e prof. Kozma Larës. Mban titullin profesor dhe akademik pas një sërë studimesh dhe doktoraturash në fushën e etnomuzikologjisë: studime pasuniversitare në kompozicion pranë “Folkwang Hochschule”, Essen-Gjermani, në klasën e prof. Wolfgang Hufschmidit si dhe studime pas doktoratës në Departamentin e Muzikologjisë pranë Universitetit të Athinës, Greqi. Karriera e tij kap një gamë të gjerë të një veprimtarie studimore dhe publicistike, me pjesëmarrje në shumë festivale, konferenca dhe tryeza për muzikën në Shqipëri dhe jashtë saj. Përfaqësues aktiv i brezit të ri të kompozitorëve shqiptarë, Vasil S. Tole është nismëtar i alternativave të reja krijuese dhe si një ndër mbartësit më të vendosur të konceptit të ristrukturimit të lëndës muzikore folklorike shqiptare, në dobi të gjetjes së identitetit dhe risive në muzikën bashkëkohore. Fitues i disa çmimeve të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, fitues i çmimit të parë të kompozimit “Dimitris Mitropoulos”, Athinë 2001, me operën “Eumenidet”. Pas viteve ’90 bëhet nismëtar i themelimit dhe drejtimit të disa organizmave të rëndësishme muzikore, si: ODEA, Akademi e Artit dhe Trashëgimisë. Karriera e tij shënon postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, si dhe ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Në vitin 2005, si ekspert i etnomuzikologjisë përgatiti dosjen e polifonisë me iso të Shqipërisë së Jugut, e cila u shpall nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”.